mars 08, 2017 13:24
Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar  8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Agjencia për Barazi Gjinore ka shënuar 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas  me Lansimin e Raportit për zbatimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2008-2013 dhe prezantimin e  të dalurave nga  hulumtimi “Gratë ne Mediat e shkruara” 2014-2015.

Në këtë ceremoni, pjesëmarrës ishte Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ,ambasadori i Suedisë në Kosovë, Henrik Nilsson, ministrja për Integrime Evropiane, Mimoza Ahmetaj, zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, si dhe zëvendësministrja e Integrimeve Evropiane, Anila Statovci. 

Me këtë rast Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi, Edi Gusia,fillimisht foli mbi rëndësinë e Ditës Ndërkombëtare të Gruas derisa  shprehu gadishmërin dhe përkushtimin e Agjencisë që drejton, por edhe të Qeverisë në përgjithësi në përmbushjen e obligimeve ligjore.“Kemi identifikuar sfidat të cilat na pengojnë në rrugën e arritjes së barazisë gjinore si dhe rezultatet të cilat na inkurajojnë për nisma të reja, politika të qëndrueshme, dhe bashkëpunim ndërinstitucional” theksoi Gusia.

Ne vazhdim fjalën e mori Kryeministri Isa Mustafa , i cili  ka përmendur rrugëtimin historik të grave për barazi, i nisur 116 vjet më parë me Marshimin e Grave për të drejtat e tyre, duke theksuar se këtij rrugëtimi i kanë kontribuar edhe gratë kosovare, që me shekuj luftuan për të drejtat e tyre.

Duke folur për dy dokumentet e prezantuara, Raportin e Vlerësimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2008-2013, si dhe hulumtimin “Gratë në mediat e shkruara” të periudhës 2014-2015, kryeministri Mustafa potencoi faktet inkurajuese që ofrohen në këto dokumente. 

 Po ashtu, kryeministri bëri të ditur se tashmë ka filluar puna në hartimin e programit të ri të Kosovës për Barazi Gjinore, për çfarë tashmë është krijuar grup punues.

“Ajo që ne synojmë me këtë Program, është që ai duhet të reflektoj nevojat dhe kërkesat e shoqërisë kosovare, si të një shoqërie evropiane, e cila ka prioritet avancimin e pozitës së grave dhe vajzave kosovare, përmbushjen e ëndrrave dhe ambicieve të tyre për një zhvillim të qëndrueshëm, dhe krijimin dhe forcimin e vlerave të reja, të mundësive të barabarta, të forcimit të dinjitetit, të jetës së sigurt, dhe të një shoqërie e cila do të ketë prosperitet dhe do të ofroj paqe.

Unë jam shumë i sigurt që me angazhimin tuaj, por edhe të grave që nuk janë së bashku me ne këtu, ne do të arrijmë ta ndërtojmë një shoqëri prosperuese, një shoqëri që para së gjithash do të krenohen fëmijët tuaj, fëmijët tanë, dhe gjeneratat që vijnë pas nesh” tha kryeministri Mustafa.

 Pjesëmarrës i organizimit të shenimit të  8 Marsit ishte dhe Ambasadori i Suedisë, Henrik Nilsson, o cili u shpreh i kënaqur me punën e përbashkët që po bëhet me Qeverinë e Kosovës për përmirësimin e barazisë gjinore.

“Përmbushja e të drejtave të grave dhe vajzave, është jo vetëm detyrim në përputhje me angazhimin ndërkombëtar, por edhe parakusht për arritjen e synimeve tona në zhvillim, demokraci, paqe dhe siguri. Ne duam që të kemi fuqizim të pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, pavarësisht se në çfarë vendi jetojnë. Në këtë mënyrë, qëndrueshmëria e shoqërive tona rritet” tha ambasadori.

 Ministrja e Integrimeve Evropian, Mimoza Ahmetaj, vlerësoi progresit e arritur, por theksoi se ende duhet punë për t’u bërë.“Duhet theksuar se vetëm me masa ligjore nuk arrihet barazia gjinore, por mendoj se ne duhet të jemi të përkushtuar dhe të investojmë në arsim dhe se vetëdijësimi për barazi gjinore duhet të filloj që nga shkolla dhe pastaj do të jetë shumë më lehtë të aplikohet në gjithë sistemin” theksoi ministrja Ahmetaj.

Prezantimin e Raportit të Vlerësimit të Programit të Kosovës për barazi gjinore 2008-2013” e bëri Ardiana Gashi nga konzorciumi “NIRAS/SIDA”.“Ky program ka synuar që t’i njohë të drejtat e grave, t’i ofrojë të gjitha grave mundësinë të kontribuojnë, por në anën tjetër t’i vjelin rezultatet nga puna e tyre. Ky program gjithashtu ka synuar që të rrisë qasjen e grave në arsim cilësor, të përmirësojë shëndetin e grave, të mundësojë fuqizimin e grave, të përmirësoje indikatorët e tregut të punës, të përmirësojë situatën ekonomike të grave dhe të vajzave në Kosovë, si dhe të sigurojë pjesëmarrje të barabartë të grave në pozita vendimmarrëse” tha ajo.

 Ndërkaq, Arbër Kuçi, S&D Consulting, ka prezantuar gjetjet dhe rekomandimet e hulumtimit “Gratë në mediat e shkruara 2014-2015”.