shkurt 25, 2017 14:11

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) e Republikës së Kosovës, ju përkujton subjekteve politike, pjesëmarrës në fushatën elektorale për zgjedhje të parakohshme parlamentare të 11-të qershorit 2017, respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës neni 6-të, pika (8-të)  për përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative me përfaqësim 50 përqind për secilën gjini.

Agjencia ju përkujton subjekteve politike se një përfaqësim i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike e legjislative të vendit është reflektim dhe zbatim i drejtëpërdrejtë si dhe jetëson Kushtetutën e Kosovës sipas së cilës “Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.”

Barazia gjinore, si vlerë themelore për ndërtimin e një shoqërie demokratike, duhet të përshkojë listat zgjedhore për përfaqësim të barabartë, programet e partive me propozime konkrete për zhvillim të barabartë dhe cilësor mes gjinive, fuqizimin socio-ekonomik të grave, dhe nxitjen e pjesëmarrjes në votime të grave dhe burrave në Kosovë. Për të arritur barazinë e vërtetë gjinore dhe për të gëzuar të drejta të plota njerëzore, ndryshimet duhet të jenë të shpejta, vendimtare, të dukshme dhe gjithëpërfshirëse, prandaj duhet të kontribuojnë të gjithë që të shënojmë progresin që na detyron korniza ligjore e Kosovës dhe aspiratat dhe përpjekjet historike të gjithë brezave në Kosovë dhe obligimet ndaj gjithë qytetarëve dhe qytetareve të Kosovës.

Fuqizimi dhe përfaqësimi i gruas në sferën publike, politike dhe ekonomike është një shprehje e qartë mirënjohjeje dhe respekti për sakrificat shekullore të luftës së grave në Kosovë për liri, drejtësi dhe barazi. Përfshirja e grave në vendim-marrje është tipar i shoqërive demokratike, që synojnë harmoninë shoqërore, mbrojtjen e respektin e dinjitetit të individit dhe konsensualitetin në krijimin e agjendës zhvillimore të vendit.

Agjencia për Barazi Gjinore ju përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale në gjuhën e përdorur në takime me elektoratin, programet dhe premtimet elektorale, materialet promovuese të subjekteve politike të shmangin gjuhën seksiste, të dhunshme, dhe sterotipet gjinore. 

Subjektet politike duhet të anagazhohen plotësisht në sigurimin dhe  përkrahjen  financiare të kandidateve gra në mënyrë të barabartë sikurse dhe për kandidatët burra, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Financimin e Partive Politike dhe Ligjin Për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës .

Agjencia për Barazi Gjinore ju bën thirrje subjekteve politike të shmangin konfrontimet e dhunshme dhe dhunën fizike ndaj gjithë kandidatëve, qofshin këta burra dhe gra, si dhe ndaj simpatizantëve dhe elektoratit. Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike dhe që punon për harmoninë shoqërore dhe i kontribuon paqes mund të arrihet vetëm përmes konsensusit, dialogut, respektit për diversitetin e mendimit, përaktësive ideologjike, gjinore, etnike e kulturore, respektit të të drejtave dhe lirive të individit.