mars 08, 2017 13:18
 Ministria e Drejtësisë Publikon  Strategjin Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje
Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia mori pjesë në lansimin e Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe Planit të Veprimit 2016 -2020.
Të pranishëm në këtë lansim ishin ,Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikes, znj. Colleen Hyland, Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, znj. Edi Gusia, Shefja e zyrës UNWOMAN, znj. Flora Macula, si dhe Koordinatori Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, Zëvendësministri, Munir Basha.

Me kёtё rast, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar këtë Strategji si shumë tё rëndësishme pёr vendin.
“Dhuna në familje, padyshim është një nga fenomenet më të shëmtuara dhe paralizuese, për trajtimin e së cilës ndërmerren përpjekje të vazhdueshme edhe në nivel ndërkombëtar. Si dukuri e përhapur në mbarë botën, në trajta dhe përmasa nga më të ndryshmet dhe e ushqyer nga zakone dhe tradita patriarkale të dominimit dhe kontrollit, shpesh përbën edhe shkakun kryesor të dëmtimeve deri edhe të humbjeve të jetëve njerëzore”, theksoi ministrja Hoxha.

“Ndonëse lufta jonë kundër kësaj dukurie negative po jep rezultate të ngadalta sesa do të dëshironim të gjithë, nuk do ndalemi asnjëherë deri sa të bëjmë tolerancën zero një realitet për qindra dhe mijëra fëmijë, gra, të moshuar që ndaj tyre ushtrohet dhunë”, theksoi ministrja Hoxha.

Me këtë rast Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia theksoi se me Hartimin dhe miratimin e Strategjisë Kombëtare të Republikës së Kosovës për mbrojtje nga dhuna në familje dhe Plani i Veprimit 2016 -2020, dëshmon për gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për ta trajtuar fenomenin e dhunës në familje në vazhdimësi si një objektiv të rëndësishëm që kërkon vëmendje të vazhdueshme ndër vite. Procesi i hartimit te kësaj strategjie ka qenë gjithëpërfshirës me pjesëmarrje të të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë dukurinë negative të dhunës në familje, dhe dhunën ndaj grave, përfaqësueses të shoqërisë civile, organizata partnere dhe ndërkombëtare.

Ne si institucione,  shoqëria civile, dhe partnerët tonë vendorë dhe ndërkombëtarë duhet të insistojmë në bashkëpunim dhe komunikim  të rregullt me njëri tjetrin dhe me çdo kusht ta mbajmë trajtimin e kësaj dukurie lartë ne fokus të politikave në nivel vendi.  Qeverisja lokale ka rol kyç në menaxhimin e situatës kur kemi të bëjmë me rastet e dhunës në familje dhe është e domosdoshme që pushtetit lokal të marr përgjegjësitë e veta, të ndërmerr veprime konkrete të përcjellë me mjete adekuate buxhetore,  dhe të ofroj llogaridhënie atëherë kur nevojat e viktimave të dhunës në familje nuk përfillen-theksoi Kryeshefja Gusia.

Në këtë link  gjeni Strategjinë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe Planit të Veprimit 2016 -2020 :

 https://abgj.rks-gov.net/sq-al/publikimet.aspx