Agjencia për Barazi Gjinore shpreh ngushëllime më të thella familjes së viktimës së vrarë sot në Llaushë të Skenderajt

January 05, 2022

Agjencia për Barazi Gjinore/ Zyra e Kryeministrit dënon ashpër vrasjen e gruas me inicialet L.Q në moshë 48 vjeçare nga Llausha e Skenderajt, nga bashkëshorti i saj. Dhuna në Familje është një akt i kobshëm-kriminal i dënueshëm.

Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunëshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të grave, mos gëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit dhe jetës së grave.

Si Agjenci, mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të jetës dhe gëzimit të të drejtave të grave dhe vajzave në përputhje me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me të drejtat e grave. Si shoqëri, si shtet, si qytetarë të këtij vendi ne kemi detyrën të mbrojmë jetën e çdo individi, pavarësisht përkatësisë gjinore, etnike, fetare, apo orientimi seksual.

Bëjmë thirrje organeve të rendit për vënien para përgjegjësisë të dhunuesit, dhe shqiptimin e dënimeve maksimale, të ju japim fund masave lehtësuese për shfajësimin e dhunuesve !