Shënohet Dita ndërkombëtare e grave me thirrjen për më shumë vajza në shkencë dhe teknologji

March 12, 2019

Shënohet Dita ndërkombëtare e grave me thirrjen për më shumë vajza në shkencë dhe teknologji

Prishtinë ,  8 Mars 2019

Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Grave, në Prishtinë u organizua punëtoria  me temën "Vajzat në inovacion për ndryshim," duke thirrur për rritje të pjesëmarrjes së vajzave në shkencë, teknologji dhe inovacion, bazuar në temën globale të OKB-së, "Mendo për barazi, ndërto zgjuar, inovo për ndryshim."

 Duke pasur parasysh shkallën e ulët të pjesëmarrjes së grave në industrinë e teknologjisë në Kosovë, (më pak se 30%) qëllimi i kësaj punëtorie është theksimi i rëndësisë së investimeve teknologjike në fuqizimin e grave dhe vajzave si faktor themelor për thyerjen e transmetimit të varfërisë, dhunës, përjashtimit dhe diskriminimit mes gjeneratave, duke arritur mundësi të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në këtë punëtori të organizuar nga UN Women, UNICEF, UNKT dhe IPKO Foundation, në partneritet me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe SIDA, morën pjesë pesëdhjetë (50) vajza të reja nga dhjetë (10) komuna të Kosovës, të cilat kishin mundësinë të përqëndrohen në të mësuarit si mjet fuqizimi në profesione të dominuara nga burrat. “Uroj që takimi i sotëm të jetë frymëzues, të punoni për ëndrrat e juaja, dhe t’a përqafoni shkencën, sepse shkenca është mjeti më i fuqishëm që ndër shekuj sfidoi mentalitetin dhe pabarazinë,” iu drejtua vajzave në hapje të kësaj punëtorie znj. Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Në fjalën e tij të rastit, Ministri Besim Beqaj nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, theksoi përkrahjen e institucioneve të Kosovës për fuqizimin e grave dhe vajzave në fushën e inovacionit, si kontribuese të barabarta të ndryshimeve në shoqëri.

Koordinatorja për Zhvillim e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, deklaroi: "Gjatë jetës sime në Suedi kam qenë dëshmitare e ndryshimeve shoqerore, inovacionit dhe teknologjisë,  të cilat u përshpejtuan nga përfshirja e grave dhe vajzave. Tani i shoh të njëjtat energji këtu, në ndërtimin e shoqërisë kosovare, duke bërë ndryshimin cilësor drejt arritjes së përfaqësimit të barabartë të grave dhe vajzave në fushat ku ato ishin - dhe ende janë - të nënpërfaqësuara; arsim, punë, politikë, inovacion dhe natyrisht teknologji! "

Ndërsa, Abetare Gojani, drejtoreshë e programit në Ipko Foundation, fondacion që ka frymëzuar më shumë se një mijë vajza për t'u bashkuar me fushën e teknologjisë informatike, theksoi: "Ne në Fondacionin IPKO bazojmë veprimet tona në besimin se kur ju fuqizoni gratë, ju fuqizoni gjithë shoqërinë".

Gjatë punëtorisë u theksua se për të arritur barazi gjinore, duhet të ketë inovacione shoqërore

të barabarta për gratë dhe burrat duke mos lënë askënd mbrapa. Shkenca dhe barazia gjinore janë jetësore për arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të dakorduara ndërkombëtarisht, në Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, për të cilën edhe Kosova është angazhuar.