Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj), sot mbajtën takimin e 11-të Konsultativ të Nivelit të Lartë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, organizatave të shoqërisë civile, akademisë dhe partnerëve zhvillimorë. Ky takim tradicional synon të avancojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të agjendës për barazi gjinore në Kosovë, me fokus të veçantë në krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit për organizatat e grave që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave. Në këtë proces, organizatat e grave dhe shoqëria civile kanë dhënë kontribut të rëndësishëm përmes avokimit, hulumtimit dhe monitorimit . Megjithatë, vazhdimësia e këtij angazhimi kërkon mbështetje të qëndrueshme financiare dhe mekanizma që mundësojnë planifikim dhe veprim afatgjatë. Në këtë drejtim, një nga sfidat kryesore që u diskutua në takim ishte zvogëlimi i fondeve në dispozicion për organizatat e grave. Kjo situatë e bën të domosdoshëm diskutimin për të krijuar mundësi dhe mekanizma të financimit afatgjatë, duke garantuar njëkohësisht pavarësinë dhe autonominë e organizatave të shoqërisë civile. Takimi u hap nga Drejtoresha Ekzekutive të Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, dhe Drejtoresha Ekzekutive të Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli. Ndërsa, fjalë rasti mbajti Boguslaw Gertruda, Shef i Seksionit Politik ne Zyrën e BE në Kosovë, dhe Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë. Në kuadër të takimit u zhvillua edhe panel diskutimi me përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile, ku u trajtuan përgjegjësitë institucionale dhe mundësitë konkrete për sigurimin e financimit të qëndrueshëm të agjendës për barazi gjinore. Në panel morën pjesë Flora Macula, Shefe e Stafit të Kryeministrit; Mimoza Kusari, Ministre në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit; Arton Ahmeti, Sekretar në Ministrinë e Financave; dhe Nicole Farnsworth, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës. Përmes këtij takimi synohet të krijohet një hapësirë e përbashkët për identifikimin e sfidave, shkëmbimin e përvojave dhe shqyrtimin e mundësive konkrete për forcimin e mbështetjes institucionale dhe financiare për organizatat e grave. Diskutimet dhe rekomandimet nga ky proces të shërbejnë si bazë për vazhdimin e dialogut dhe propozimeve qe mundesojne ruajtjen e arritjeve të deritanishme, forcimin e rolit të organizatave të grave dhe garantimin e vazhdimësisë së punes se organizatave per avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Republikën e Kosovë