Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore mori pjesë dhe prezantoi përvojën e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Buxhetimin e Përgjegjshëm Gjinor (Gender-Responsive Budgeting), të organizuar në Bruksel nga UN Women dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Belgjikës, në partneritet me Komisionin Evropian dhe Presidencën Irlandeze të Këshillit të BE-së për vitin 2026.

Në konferencë, ku u diskutua roli i buxheteve publike në avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, Kosova prezantoi përvojën në integrimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) në politikat publike dhe proceset buxhetore.

Qeveria e Kosovës ka siguruar mbështetje të vazhdueshme financiare për avancimin e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile. Këto investime janë konkretizuar përmes masave dhe programeve në sektorë të ndryshëm.

Disa nga rezultatet konkrete të investimeve publike përmes masave të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor janë:

1. Mbështetja emergjente dhe mbrojtja sociale

2 milionë euro të ndara për reagim emergjent dhe masa lehtësuese, duke përfshirë mbështetjen për sektorin privat, çerdhet, organizatat e grave dhe bizneset e vogla, si dhe strehimin e përkohshëm dhe mbështetjen psikologjike gjatë pandemisë COVID-19.

11.3 milionë euro të ndara për pensionet e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

1.5 milionë euro të investuara për mbështetjen e 10 strehimoreve për viktimat e dhunës ndaj grave.

2. Investimet në arsim dhe përfshirje

4.6 milionë euro të ndara për bursa për vajza dhe gra të reja që studiojnë në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), gjatë periudhës 2020–2023.

Përgjatë katër viteve të fundit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka orientuar mjete të veçanta për avancimin dhe përfaqësimin e vajzave dhe grave në fushat STEM.

Janë ndarë mjete të dedikuara për mbështetjen e fëmijëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me qëllim të zvogëlimit të pabarazive në arsim dhe luftimit të diskriminimit.

3. Fuqizimi ekonomik i grave

Përmes granteve dhe subvencioneve është mbështetur drejtpërdrejt pjesëmarrja e grave në biznes, bujqësi, art dhe sport.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka mbështetur 88 gra ndërmarrëse gjatë periudhës 2022–2024, me gjithsej 1.36 milionë euro grante për certifikimin e produkteve, digjitalizimin, inovacionin dhe mbështetjen e artizaneve.

4. Tranzicioni energjetik dhe mbështetja për familjet

Që nga viti 2021, janë shtuar investimet në sektorin e energjisë për mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, me prioritet familjet me kryefamiljare gra, prindërit vetushqyes, të moshuarit dhe familjet përfituese të skemave të asistencës sociale.

Përmes thirrjes publike për mbështetjen e investimeve të familjeve në pajisje shtëpiake efiçiente ndaj energjisë, nga skema kanë përfituar 9,763 gra.

Gjithashtu, janë mbështetur bizneset e udhëhequra nga gratë përmes teknologjive që ulin kostot e energjisë, si dhe janë krijuar mundësi për aftësimin dhe përfshirjen e grave si audituese të energjisë.

Përvoja e Kosovës dëshmon se Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor është mekanizëm konkret për shndërrimin e prioriteteve të barazisë gjinore në vendime financiare dhe investime me ndikim të matshëm.

Përmes këtyre investimeve, Qeveria e Kosovës dëshmon përkushtimin që buxheti publik të jetë instrument i drejtësisë sociale, mundësive të barabarta dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors