Agjencia për Barazi Gjinore shënon Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit – Ndriçohet ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në ngjyrë rozë

October 02, 2025

 Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e muajit Tetor – Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) pranë Zyrës së Kryeministrit ka organizuar një aktivitet simbolik, duke ndriçuar ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në ngjyrë rozë, si shenjë solidarizimi dhe përkrahjeje për të gjitha gratë që janë prekur nga kanceri i gjirit.

Ky veprim synon të rrisë ndërgjegjësimin publik për rëndësinë e zbulimit të hershëm, kontrollave mjekësore periodike, si dhe ndihmës institucionale e shoqërore për gratë që përballen me këtë sëmundje.

Agjencia për Barazi Gjinore thekson se shëndeti i grave është pjesë e pandashme e barazisë gjinore, prandaj institucionet e vendit duhet të jenë të angazhuara në promovimin e politikave të cilat sigurojnë akses të barabartë në kujdes shëndetësor, trajtim dhe mbështetje psikosociale për të gjitha gratë.

Në këtë muaj të ndërgjegjësimit, ABGJ u bën thirrje qytetarëve, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile që të bashkohen në përpjekjet për informim, edukim dhe mbështetje ndaj grave dhe familjeve të prekura nga kanceri i gjirit.

Ngjyra rozë, që ndriçoi ndërtesën e Qeverisë, është simbol i shpresës, forcës dhe unitetit për të gjitha gratë që po luftojnë me këtë sëmundje dhe kujtesë për rëndësinë e kontrollit të rregullt shëndetësor.