Agjencia për Barazi Gjinore reagon pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit për denimin e vrasësit të Zejnepe Berisha

September 18, 2016

18-04-2017- Agjencia për Barazi Gjinore pas njoftimit se vrasësi-bashkëshorti i së ndjerës Zejnepe Berisha viktimë e dhunës në familje,  me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, është dënuar me vetëm 12 vjet burgim, përkrahë familjen e viktimës  e cila kërkon apelim të vendimit dhe kundërshton këtë vendim të Gjykatës. Kundërshtimi i një dënimi në afat të tillë kohorë vetëm 12 vjet, për vrasësin, i cili vrau të ndjerën Zejnepe brenda hapësirave të shtëpisë dhe në prezencë të fëmijëve, bazohet në faktin e ditur se Kodi Penal i Republikës së Kosovës, në nenin 179  mbi Vrasjen e Rëndë thotë se:  “Me dënim me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet personi i cili: privon nga jeta anëtarin e familjes”. Duke marrë parasysh rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje, peshën e veprës dhe dhunën sistematike që viktima ka përjetuar, konsiderojmë se dënimi nuk është proporcional me veprën e shkaktuar.

E ndjera Zejnepe Berisha për vite me radhë iu ishte drejtuar institucioneve të Kosovës për të kërkuar mbrojtje, derisa një ditë ajo u sulmua me thikë dhe u vra. Për më tepër u lëndua edhe vajza e së ndjerës rrethanë kjo që e rëndon edhe më tepër peshën e krimit te familje.

ABGJ, kërkon që vendimi mbi dënimin të apelohet dhe të ndryshohet në të kundërt konsiderojmë që jeta  e grave dhe vajzave në Kosovë vazhdon të jetë e rrezikuar.  Institucionet  e gjyqësorit  duhet të ofrojnë siguri dhe drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat, dhe personat të cilët e ndiejnë veten të rrezikuar brenda familjeve te tyre, si viktima të dhunës në familje që ti raportojnë rastet dhe të kërkojnë ndihmë. Një vendim i tillë i gjykatës shkakton frikë dhe pa siguri për të gjitha ato viktima të  cilat do të hezitojnë të kërkojnë ndihmë nga Institucionet dhe do të vazhdojnë të jetojnë në ciklin e dhunës.