ABGJ nënshkruan Deklaratën e Brighton + Helsinki për Barazi Gjinore në Sport

Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të Deklaratës së Brighton + Helsinki 2014 për Gratë dhe Sportin.
Në hapje të ceremonisë, fjalë përshëndetëse mbajtën:
• Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës,
• Annamarie Phelps, Kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkëkryetare e Ekzekutivit Global të IWG Women & Sport,
• Tarja Krum, Presidente e Komitetit të Barazisë në Sport të ENGSO-së,
• si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Pas fjalimeve, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit, ku Agjencia për Barazi Gjinore u bë pjesë e institucioneve që zyrtarisht zotohen të zbatojnë 10 parimet themelore të Deklaratës së Brighton + Helsinki – për të siguruar mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë në sport, nga pjesëmarrja deri te karrierat drejtuese.
Në emër të ABGJ-së, Shpresa Zariqi, shefe e Divizionit për Bashkëpunim dhe Informim, nënshkroi Deklaratën.
Deklarata e Brighton + Helsinki, e nisur nga Grupi Ndërkombëtar për Gratë dhe Sport (IWG), synon të krijojë një kulturë të qëndrueshme sportive që vlerëson dhe fuqizon kontributin e grave dhe vajzave në të gjitha aspektet e sportit dhe aktivitetit fizik.
Ky nënshkrim shënon angazhimin e Republikës së Kosovës për të forcuar barazinë gjinore në sport, për të mbështetur sportistet, trajneret dhe gratë udhëheqëse, si dhe për të krijuar politika të qarta që promovojnë pjesëmarrjen e barabartë dhe përfaqësimin e drejtë në të gjitha nivelet sportive.