ABGJ/Komunikatë për Media -Me rastin të Zgjedhjeve Lokale të 22-të tetorit 2017

March 08, 2017

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) e Republikës së Kosovës, ju përkujton subjekteve politike, pjesëmarrës në fushatën elektorale për Zgjedhjet Lokale të 22 tetorit 2017, respektimin dhe zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës neni 6-të, pika (8-të)  për përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative me përfaqësim 50-të përqind për secilën gjini.

Agjencia për ju përkujton subjekteve politike se një përfaqësim i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike e legjislative të vendit është reflektim dhe zbatim i drejtpërdrejtë si dhe jetëson Kushtetutën e Kosovës sipas së cilës “barazia gjinore është vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.”

Agjencia për Barazi Gjinore me shqetësim vëren se nga 91 subjekte politike të regjistruara për Kryetarë komunash në Zgjedhjet Lokale 2017-të, vetëm katër kandidate janë gra, ose 4.4 % e numrit total të kandidatëve të propozuar. Fatkeqësisht, edhe këtë raund zgjedhjesh lokale, Kosova do të dështojë të shënojë përparimin e dëshiruar për avancimin e grave në vendim-marrje, do të dështojë të përmbushë obligimin ligjor dhe Kushtetues në përmbushjen e agjendës për barazi gjinore në Kosovë.

Zgjedhjet lokale të vitit 2013-të rezultuan në zgjedhjen e një kryetareje komune. Me këto arritje dhe rezultate nga zgjedhjet e kaluara dhe me kandidaturat e propozuara aktualisht edhe Zgjedhjet Lokale të 2017-ës, avancimi i gruas në politikën lokale si udhëheqëse institucionesh qeverisëse përballet me një rrugëtim në vend numëro, e madje përkeqësues. Nuk mjafton të kemi një kuadër ligjor dhe institucional tejet të avancuar në mbështetje të barazisë gjinore të krahasueshëm e madje dhe më progresiv se shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian, vendeve me demokraci të zhvilluar dhe stabilitet ekonomik. Nuk e kemi as luksin dhe as të drejtën e moszbatimeve të ligjeve që sigurojnë përfaqësim e pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave në Kosovë, për zhvillim të barabartë dhe cilësor mes gjinive, fuqizimin socio-ekonomik të barabartë, përfaqësim të barabartë dhe realizmin e aspiratave t burrave dhe grave, djemve dhe vajzave në një shoqëri të drejtë dhe sa më harmonioze me tendencat zhvillimore. 

Agjencia për Barazi Gjinore ju bën thirrje të gjithë subjekteve politike të regjistruara të respektojnë dhe katërcipërisht të zbatojnë detyrimin ligjor për 50 përqind përfaqësim të kandidateve gra në listën e kandidatëve për kuvendet komunale. Tërheqim vëmendjen e subjekteve politike për rritje të dukshme të përfaqësimit të kandidateve gra për kuvendet komunale posaçërisht në komunat e Drenasit, Pejës, Skenderajt dhe Mitrovicës Veriore ku zgjedhjet vendore të 2013-tës, përfaqësimi i grave në kuvendet komunale respektive ishte nën 30-të përqind.   Ju bëjmë thirrje subjekteve politike që në listat e kandidatëve për kuvendet komunale të sigurojnë përfaqësimin etnik, në mënyrë të veçantë të grave dhe vajzave nga komunitetet etnike rom, ashkali dhe egjiptas.

Agjencia për Barazi Gjinore ju kërkon të gjithë kandidatëve të propozuar për kryetarë komunash dhe kandidatëve për këshilla komunale që në programet dhe premtimet e tyre elektorale të reflektojnë barazisht nevojat e grave dhe burrave në Kosovë. Subjektet politike duhet të angazhohen plotësisht në sigurimin dhe përkrahjen  financiare të kandidateve gra në mënyrë të barabartë sikurse dhe për kandidatët burra, në përputhje me Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Financimin e Partive Politike dhe Ligjin Për Zgjedhjet në Republikën e Kosovës. 

Agjencia për Barazi Gjinore kërkon nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve dhe subjekteve politike  të sigurojnë pjesëmarrje të barabartë të burrave dhe grave në komisionet e qendrave të votimit dhe trupat monitoruese zgjedhore.

Agjencia për Barazi Gjinore ju përkujton subjekteve politike që gjatë fushatës elektorale në gjuhën e përdorur në takime me elektoratin, programet dhe premtimet elektorale, materialet promovuese të subjekteve politike të shmangin gjuhën seksiste, të dhunshme, dhe sterotipet gjinore. Agjencia për Barazi Gjinore i bën thirrje Komisionit të Pavarur për Media për monitorim të vazhdueshëm të medias së shkruar dhe elektronike dhe përdorimin e sanksioneve që ju njeh korniza ligjore për përfaqësim dhe prezantim të barabartë të kandidatëve dhe pa diskriminim dhe denigrimin gjinor. Apelojmë te mediat e Kosovës, publike dhe private, punonjësve të medias, shoqatave dhe unioneve të gazetarëve për një prezantim objektiv, adekuat, cilësor pa diskriminim dhe larg stereotipeve gjinore të të gjithë kandidatëve.

Agjencia për Barazi Gjinore ju kërkon subjekteve politike të shmangin konfrontimet e dhunshme dhe dhunën fizike ndaj gjithë kandidatëve, qofshin këta burra dhe gra, si dhe ndaj simpatizantëve dhe elektoratit, dhe të punojnë për të mos patur përsëritje të ngjarjeve të shëmtuara të zgjedhjeve të qershorit që lame pas.  Ndërtimi i një shoqërie me vlera demokratike dhe që punon për harmoninë shoqërore dhe i kontribuon paqes, mund të arrihet vetëm përmes konsensusit, dialogut, respektit për diversitetin e mendimit, përkatësive ideologjike, gjinore, etnike e kulturore, respektit të të drejtave dhe lirive të individit.