ABGJ mori pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e UN Women në Kosovë : “Qasja në drejtësi dhe reparacione për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin”

September 14, 2017

Agjencia për Barazi Gjinore mori pjesë në konferencën e organizuar nga Zyra e UN Women në Kosovë : “Qasja në drejtësi dhe reparacione për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin”. Kjo konferencë organizohet në shënim të 17 vjetorit të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSCR) 1325.

Me këtë rast KE ABGJ – Edi Gusia potencoi se :“ Ne si institucione bartim përgjegjësinë tone për vonesat në ofrimin e shërbimeve dhe ndihmës sociale dhe pensioneve, mirëpo kjo çështje është vetëm faza fillestare e një procesi i cili duhet vënë në qendër të Agjendës ndërshtetërorë te dialogut. Reparacioni duhet parë si pjesë e dialogut ndërshtetërorë Kosove – Serbi dhe njohjes se dhunës se ushtruar dhe drejtësisë se munguar, dhe kjo drejtësi duhet vendosur. Mospjesëmarrja e grave dhe mostrajtimi i çështjes se reparacionit për të mbijetuarat e dhunës seksuale si pjese e dialogut ndërshtetërorë është pjese e munguar e dialogut. Nëse çështja e reparacionit dhe vënies se drejtësisë për te mbijetuarat e dhunës seksuale nuk përfshihet në këtë agjende, dhe nuk i përfshimë gratë në këtë dialog rrezikojmë harmoninë civile,  pa te cilën nuk mund te ketë paqe të qëndrueshme. Paqja ndërtohet me dialog, dhe viktimat kanë emër. Nuk ka faj pa fytyre, nuk ka viktimizues pa emër, dhe drejtësia duhet vëne në vend. Kjo është formula që të mbijetuarat ti lëvizim nga viktima në vendimmarrëse të drejtësisë së munguar.

Nuk mund të ketë politika efiçente në mungese të përfshirjes në dialog, drejtësia është obligim dhe detyrim ndaj të ardhmes së vendit tonë. Roli i komunitetit ndërkombëtarë si influencues i këtij dialogu për të sjelle palët në tavoline, është i domosdoshëm si fasilitues i diskutimit te çështjeve të cilat po u kaluan në heshtje nuk zgjidhen vetvetiu, dhe pa diskutimin  e tyre paqja do të jetë e brishte dhe artificiale. Kërkimi i faljes dhe pranimi i përgjegjësisë për krimet e kryera ndaj të mbijetuarave është një nga pikat ku fillon e ardhmja jonë si qytetare të Evropës demokratike ku paqja është proces i të mësuarit, dhe falje kërkohet per pa -drejtësitë e përjetuara” .Në konferencë mori pjesë Znj Atifete Jahjaga , znj Ulrike Lunacek, Znj Vlora Çitaku, përfaqësues të institucioneve të RKS dhe shoqërisë civile.