Përfaqësues të ABGJ ishin pjesëmarrës në Konferencën ”Roli i Planeve Kombëtare të Veprimit në promovimin e Rezolutës 1325 Gratë, Paqja dhe Siguria “ që u mbajt në Lubjanë, Slloveni

January 29, 2018

Përfaqësues të Agjencisë për Barazi Gjinore ishin pjesë e konferencës ”Roli i Planeve Kombëtare të Veprimit në promovimin e Rezolutës 1325  Gratë, Paqja dhe Siguria “ e cila u mbajt ne Lubjanë, Slloveni me 16 shkurt 2018.

Konferenca është organizuar nga ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, dhe Ministria e punëve të jashtme të  Norvegjisë , ndërsa të ftuar ishin vendet e Ballkanit Perëndimor.
Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i  mendimeve dhe përvojat e tyre (praktikat e mira dhe mësimet e nxjerra) në zhvillimin dhe zbatimin e planeve kombëtare apo dokumente të tjera strategjike për gratë, paqen dhe sigurinë. Takimi gjithashtu trajtoi sfidat dhe mundësitë e programit të grave, paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga perspektiva e qeverisë dhe shoqërisë civile.

Që nga miratimi i Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shumë vende, përfshirë Norvegjinë, Slloveninë dhe shumicën e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, hartuan plane veprimi kombëtare ose dokumente të tjera strategjike për zbatimin e Rezolutës 1325 dhe rezolutat e saj të mëvonshme .

Me këtë rast  delgacioni i ABGJ , prezantoi mbi procesin e hartimit të Planit të Veprimit 1325 -2013-2015, i cili plan veprimi i miratuar nga QRK arriti të zbatohej në nivel aktivitetesh në shkallë prej 80%. Po ashtu ky plan veprimi ishte iniciues i procesit të trajtimit të çështjes  së mbijetuarve të dhunës seksuale pas luftës së fundit në Kosovë, dhe rezultoi me krijimin e një varg mekanizmash. ABGJ po ashtu prezantoi eksperiencën e dobishme të bashkëpunimit ndër sektorial dhe bashkëpunimit me shoqërinë civile në procesin e hartimit të PV, dhe monitorimit të zbatimit, ku ABGJ realizoi dy raporte vlerësuese. I tërë procesi është realizuar me mbështetjen e UN WOMEN dhe Zyrës së KE në Kosovë.

Në përfundim të takimit u vlerësua se megjithëse procesi i përfshirjes së  grave në ndërtimin e paqes dhe sigurisë ka fituar rëndësi, me ndryshimin e natyrës së konflikteve dhe të kuptuarit e paqes, sigurisë dhe drejtësisë, nevoja për avancimin e agjendës në një mënyrë kuptimplote është më e rëndësishme se kurrë. Kontributi i gruas në parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve dhe në rindërtimin pas konfliktit është ende nënvlerësuar dhe nën-shfrytëzuar. Përveç kësaj, konfliktet prekin gratë në mënyrë jo proporcionale.

Pas pasqyrës fillestare të dokumenteve kombëtare relevante për gratë, paqen dhe sigurinë në vendet pjesëmarrëse, pjesëmarrësit diskutuan tendencat dhe sfidat globale për axhendën e grave, paqes dhe sigurisë, duke përfshirë ndërlidhjen e saj me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Gratë, Indeksi i Paqes dhe i Sigurisë.

Pjesëmarrësit ranë dakord mbi rolin vendimtar të grave në aktivitetet e lidhura me paqen, duke përfshirë proceset e paqes dhe pajtimit dhe rindërtimin pas konfliktit të zonave të prekura nga konflikti. Në mënyrë që gratë të kenë këtë mundësi, duhet të eliminohen pengesat strukturore, stereotipat, si dhe format e ndryshme të diskriminimit dhe dhunës, duke përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën mbi baza gjinore.