Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër vrasjen e gruas me inicialet S.S në Prishtinë

March 15, 2021

   Agjencia për Barazi Gjinore dënon ashpër vrasjen e gruas me inicialet S.S në Prishtinë

Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit, dënon ashpër vrasjen e qytetares me inicialet S.S në moshën 44 vjeçare, në lagjen Emshir në Prishtinë nga bashkëshorti i saj. Dhuna në Familje-dhuna në bazë gjinore është një akt i kobshëm -kriminal i dënueshëm.

Agjencia për Barazi Gjinore tërheq vëmendjen e institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, komuniteteve, mbarë shoqërisë për prezencën e shtuar të armëve në pronësi të qytetarëve dhe sjelljeve të dhunshme dhe agresive të cilat po rezultojnë në humbjen e jetëve të grave, mos gëzimin e të drejtave dhe mosrespektimin e dinjitetit dhe jetës së grave.

ABGJ kërkon hetimin e rastit në mënyrë të detajuar përfshirë edhe hetimin e përgjigjes institucionale nëse e ndjera kishte kërkuar ndihmë institucionale më parë edhe para se të ndodhte tragjedia.

Si Agjenci, mbetemi thellësisht të angazhuar dhe të përkushtuar në mbrojtjen e jetës, respektimit të jetës dhe gëzimit të të drejtave të grave dhe vajzave në përputhje me të drejtat e njeriut dhe veçanërisht me të drejtat e grave. Si shoqëri, si shtet, si qytetarë të këtij vendi ne kemi detyrën të mbrojmë jetën e çdo individi, pavarësisht përkatësisë gjinore, etnike, fetare, apo orientimi seksual.

Agjencia shpreh ngushëllimet më të thella familjes së viktimës!

ABGJ kërkon trajtim me urgjencë dhe kujdes të shtuar nga ana e institucioneve të obliguar të ofrojnë përgjigje institucionale, ndaj të gjitha viktimave të dhunës në familje dhe baza gjinore, para se të ndodhin tragjedi si kjo ku humbi jetën një grua, dhe u afektuan përjetësisht më të dashurit e saj.