Kosova shënon 20-vjetorin e Agjendës për Barazi Gjinore me konferencë ndër-rajonale dyditore

November 19, 2025

Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit ka organizuar konferencën ndër-rajonale “Shënimi i 20-vjetorit të Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës – 30 Vjet Pas Pekinit: Rruga Përpara”, më 18–19 nëntor 2025, në Prishtinë. Në këtë ngjarje dyditore u mblodhën përfaqësues institucionalë, ekspertë të fushës, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë nga vendet e rajonit.

Konferenca u hap me fjalimet e mirëseardhjes nga:

  • Edi Gusia, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore/ZKM

  • Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

  • Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

  • Albulena Haxhiu, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

  • Eva Palatova, Zëvendësdrejtore e Zyrës së Komisionit Evropian

  • Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë

  • Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

Këto fjalë hyrëse shënuan fillimin zyrtar të programit të paraparë sipas agjendës, duke vënë në fokus rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe rajonal për avancimin e barazisë gjinore.

Drejtorja Ekzekutive e ABGJ-së, Edi Gusia, theksoi peshën e këtij përvjetori dhe rrugëtimin e ndërmarrë gjatë dy dekadave:“Këto 20 vjet ishin vite dinamike. Ishim dëshmitarë të ngjarjeve historike – si shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ka pasur shumë punë, vullnet, debate e angazhim, jo vetëm nga stafi i ABGJ-së, por edhe nga zyrtarët në ministri e komuna, organizatat e grave dhe partnerët ndërkombëtarë. E rëndësishme është se qëllimin e kemi të përbashkët: një agjendë zhvillimore transparente, transformuese dhe gjithëpërfshirëse.”Ajo nënvizoi se progresi është ndërtuar përmes bashkëpunimit të gjerë me institucionet vendore e ndërkombëtare, si dhe përmes angazhimit të mekanizmave gjinorë në nivel qendror dhe lokal.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij theksoi përkushtimin strategjik të institucioneve ndaj barazisë gjinore:“Republika e Kosovës vazhdon të ecë përpara, pavarësisht valës globale të regresit të barazisë, ku të drejtat e grave dhe vajzave po kontestohen hapur në shumë vende të botës… Republika e Kosovës nuk po e relativizon barazinë gjinore. Përkundrazi, po e trajton si thelb edhe të projektit të saj demokratik edhe të vlerës së barazisë shoqërore.”Ai prezantoi rezultatet e politikave afirmative për qasjen e grave në pronë:“Deri në vitin 2016 vetëm 105 prona ishin të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve, ndërsa deri në vitin 2024 ky numër arriti në 17,592. Sot kjo shifër ka arritur në 27,830. Pra, për më pak se nëntë vjet, numri i pronave të regjistruara është rritur mbi 265 herë.”Kurti shtoi se arsimi mbetet një dimension kyç në avancimin e barazisë gjinore:“Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, kemi ndarë 15 milionë euro mbështetje direkte për studentët, përfshirë mijëra bursa për vajzat në fushat STEM. Janë ndërtuar 73 çerdhe të reja, ndërsa edukimi i hershëm është bërë i detyrueshëm me ligj.”

Dita e parë u fokusua në panelin me temën:
“Kontributi dhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë dhe e shoqërisë civile në forcimin e proceseve të barazisë gjinore dhe avancimin e të drejtave të grave.”

Folës kryesor ishte Z. Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, ndërsa paneli u moderua nga Znj. Pranvera Lipovica.

Panelistët që kontribuuan në diskutim ishin:

  • Z. Henrik Riby, Ambasada e Suedisë

  • Znj. Ermira Lubani, UN Women

  • Z. Tankut Soykan, Këshilli i Evropës

  • Znj. Rrona Berisha, GIZ

  • Znj. Adelina Berisha, Rrjeti i Grave të Kosovës

  • Znj. Vesa Batalli, OJQ Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve

Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e partneritetit ndërkombëtar dhe rolin e shoqërisë civile për të ndërtuar politika të qëndrueshme dhe efikase për barazi gjinore.

Dita e dytë e konferencës

Dita e dytë vazhdoi me përmbledhjen e rekomandimeve dhe me dy panele kryesore.

Paneli i parë:

“Rezoluta 1325 e OKB-së – Gratë, Paqja dhe Siguria: adresimi i padrejtësive, avancimi i dialogut gjithëpërfshirës dhe rritja e përfaqësimit të grave për një shoqëri paqësore dhe të qëndrueshme.”

Folës kryesor ishte Z. Jonathan Hargreaves, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, ndërsa moderimin e bëri Znj. Rozafa Kelmendi.

Panelistët:

  • Znj. Leonora Selmani – Komisioni për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale

  • Znj. Learta Hollaj – Zyra e Presidentes

  • Znj. Vjosë Maloku Ramadani – Forca e Sigurisë së Kosovës

  • Znj. Vlora Tuzi Nushi – UN Women

  • Znj. Taibe Canolli – Policia e Kosovës

  • Znj. Mirlinda Sada – Medica Gjakova

Ky panel adresoi rolin e grave në paqe, siguri dhe drejtësi tranzicionale.