Kosova shënon 20-vjetorin e Agjendës për Barazi Gjinore me konferencë ndër-rajonale dyditore

November 19, 2025

Agjencia për Barazi Gjinore/Zyra e Kryeministrit ka organizuar konferencën ndër-rajonale “Shënimi i 20-vjetorit të Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës – 30 Vjet Pas Pekinit: Rruga Përpara”, më 18–19 nëntor 2025, në Prishtinë. Në këtë ngjarje dyditore u mblodhën përfaqësues institucionalë, ekspertë të fushës, organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë nga vendet e rajonit.

Konferenca u hap me fjalimet e mirëseardhjes nga:

  • Edi Gusia, Drejtore Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore/ZKM

  • Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

  • Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës

  • Albulena Haxhiu, Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

  • Eva Palatova, Zëvendësdrejtore e Zyrës së Komisionit Evropian

  • Vlora Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë

  • Luljeta Demolli, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore

Këto fjalë hyrëse shënuan fillimin zyrtar të programit të paraparë sipas agjendës, duke vënë në fokus rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe rajonal për avancimin e barazisë gjinore.

Drejtorja Ekzekutive e ABGJ-së, Edi Gusia, theksoi peshën e këtij përvjetori dhe rrugëtimin e ndërmarrë gjatë dy dekadave:

“Këto 20 vjet ishin vite dinamike. Ishim dëshmitarë të ngjarjeve historike – si shpallja e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ka pasur shumë punë, vullnet, debate e angazhim, jo vetëm nga stafi i ABGJ-së, por edhe nga zyrtarët në ministri e komuna, organizatat e grave dhe partnerët ndërkombëtarë. E rëndësishme është se qëllimin e kemi të përbashkët: një agjendë zhvillimore transparente, transformuese dhe gjithëpërfshirëse.”Ajo nënvizoi se progresi është ndërtuar përmes bashkëpunimit të gjerë me institucionet vendore e ndërkombëtare, si dhe përmes angazhimit të mekanizmave gjinorë në nivel qendror dhe lokal.

 

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në fjalimin e tij theksoi përkushtimin strategjik të institucioneve ndaj barazisë gjinore:

“Republika e Kosovës vazhdon të ecë përpara, pavarësisht valës globale të regresit të barazisë, ku të drejtat e grave dhe vajzave po kontestohen hapur në shumë vende të botës… Republika e Kosovës nuk po e relativizon barazinë gjinore. Përkundrazi, po e trajton si thelb edhe të projektit të saj demokratik edhe të vlerës së barazisë shoqërore.”Ai prezantoi rezultatet e politikave afirmative për qasjen e grave në pronë:“Deri në vitin 2016 vetëm 105 prona ishin të regjistruara në emër të të dy bashkëshortëve, ndërsa deri në vitin 2024 ky numër arriti në 17,592. Sot kjo shifër ka arritur në 27,830. Pra, për më pak se nëntë vjet, numri i pronave të regjistruara është rritur mbi 265 herë.”Kurti shtoi se arsimi mbetet një dimension kyç në avancimin e barazisë gjinore:“Arsimin e lartë publik e kemi bërë falas, kemi ndarë 15 milionë euro mbështetje direkte për studentët, përfshirë mijëra bursa për vajzat në fushat STEM. Janë ndërtuar 73 çerdhe të reja, ndërsa edukimi i hershëm është bërë i detyrueshëm me ligj.”


Dita e parë: Mekanizmat gjinorë dhe roli i partnerëve ndërkombëtarë

Pas fjalimeve hyrëse, programi vazhdoi me panelin e parë dedikuar mekanizmave institucionalë të barazisë gjinore sipas CEDAW dhe Platformës së Pekinit. Paneli u moderua nga Edona Hajrullahu, ndërsa folëse kryesore ishte Edi Gusia.
Paneli përfshiu përfaqësues nga Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Paneli i dytë adresoi kontributin e partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile. Folës kryesor ishte Hubert Perr, ndërsa panelistët përfshinë përfaqësues nga Suedia, UN Women, Këshilli i Evropës, GIZ, RrGK dhe OJQ-të komunitare.

Dita e parë u mbyll me zotimin e institucioneve për forcim të mëtejshëm të politikave që promovojnë barazi dhe drejtësi gjinore.

Dita e dytë: Paqja, siguria dhe 30 vjetori i Pekinit

Dita e dytë nisi me panelin për Rezolutën 1325 “Gratë, Paqja dhe Siguria”.
Folës kryesor ishte Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ndërsa paneli, i moderuar nga Rozafa Kelmendi, përfshiu përfaqësuese të institucioneve kyçe, sektorit të sigurisë dhe organizatave që punojnë me të mbijetuarit e luftës.

Panelistët diskutuan:

  • adresimin e padrejtësive historike

  • forcimin e pjesëmarrjes së grave në sektorin e sigurisë

  • qasjen e ndjeshme ndaj traumës

  • nevojën për dialog gjithëpërfshirës dhe mekanizma më të fortë mbrojtës

Paneli i dytë i ditës adresoi progresin dhe sfidat pas 30 vjetësh nga Platforma e Pekinit.
Folës kryesor ishte Steve O’Malley, ndërsa diskutimet përfshinë buxhetimin gjinor, integrimin gjinor në politika publike, forcimin e grave në vendimmarrje dhe pabarazitë që ende kërkojnë zgjidhje.

Në përfundim të konferencës, institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë riafirmuan përkushtimin për të vazhduar përpjekjet drejt ndërtimit të politikave transformuese, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për barazi gjinore në Kosovë.