ABGJ dhe QKSGJ mbajnë takimin konsultativ të nivelit të lartë “Siguria e grave në vendin e punës"

November 05, 2025

Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, mbajti sot takimin e nëntë me radhë konsultativ të nivelit të lartë, me temën “Siguria e grave në vendin e punës”.

Në hapje të takimit, Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi se siguria e grave në vendin e punës është një nga çështjet më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Ajo vlerësoi këtë takim si një traditë të çmuar të bashkëpunimit ndërmjet ABGJ-së dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, që dëshmon përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të bashkëpunuar me organizatat e shoqërisë civile që kontribuojnë në avancimin e pozitës së gruas në shoqëri.“Mospërfshirja adekuate e grave në tregun e punës nuk është vetëm çështje e barazisë, por një pengesë serioze për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit, ku gjysma e potencialit shoqëror mbetet e pashfrytëzuar,” theksoi Gusia, duke shtuar se sfidat kryesore për gratë në tregun e punës lidhen me mungesën e institucioneve për kujdesin ndaj fëmijëve, mungesën e sigurisë dhe diskriminimin gjinor.

Ndërkaq, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, u shpreh se ky takim konsultativ, i organizuar për të nëntin vit me radhë, dëshmon vazhdimësinë e një qasjeje bashkëpunuese ndërmjet institucioneve dhe organizatave partnere për forcimin e të drejtave të grave.“Ky bashkëpunim është shembull i mirë se si duhet të ecim përpara në punën dhe angazhimin tonë feminist. Sivjet, në 25-vjetorin e Rezolutës 1325 për Paqe dhe Siguri, duhet të reflektojmë mbi sfidat që gratë përballen çdo ditë në vendin e punës, përfshirë pasigurinë dhe mungesën e mbrojtjes adekuate,” tha Demolli.

Me fjalë rasti konferneces ju  drejtuan Z. Aleksandro Bjancho, Zëvendësshef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe Znj. Vlora Tuzi-Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë. Ata theksuan rëndësinë e zbatimit të standardeve evropiane për barazi gjinore dhe mbrojtje në punë, si dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë.

Në vijim, u mbajt paneli i diskutimit me pjesëmarrjen e:

  • Znj. Dafina Gexha-Bunjaku, Zëvendësministre e Shëndetësisë,

  • Z. Rizah Plakolli, Ushtrues detyre Drejtor Ekzekutiv i Inspektoratit Qendror të Punës,

  • Z. Lum Vranica, U.D. në Divizionin e Metodologjisë së Inspektimit, Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm,

  • Znj. Nermin Mahmuti, Drejtore Ekzekutive e CDF,

  • Znj. Majlinda Sinani-Lulaj, Zëvendëse e Avokatit të Popullit, dhe

  • Znj. Hera Luma, Menaxhere e projektit “Të Drejtat e Punës për të Gjithë”, ATRC.

Paneli, i moderuar nga Diona Hoxha, eksperte gjinore, solli në vëmendje sfidat me të cilat përballen gratë në vendin e punës, rëndësinë e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe nevojën për harmonizim të politikave kombëtare me direktivat e Bashkimit Evropian.Në përmbyllje të takimit, u theksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile për të garantuar një ambient pune të sigurt, të barabartë dhe të denjë për gratë në Kosovë.