Agjencia për Barazi Gjinore bënë thirrje që t’i bashkohemi fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit!

November 24, 2019

KOMUNIKATË PËR MEDIA

25 Nëntor 2019

Agjencia për Barazi Gjinore bënë thirrje që t’i bashkohemi fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit!

Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit është fushatë botërore që organizohet çdo vit e cila fillon me 25 Nëntor, e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Çdo vit përmes kësaj fushate anembanë botës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia me moton “Ti jepet fund dhunës ndaj grave ”për të siguruar një të ardhme më të mirë  ku respektohet jeta dhe e drejta për të jetuar të lira, larg çfarëdo lloji të dhunës qoftë ajo fizike, psikike, emocionale apo ekonomike, që cenon të drejtat e njeriut- të drejtat e grave dhe vajzave në mbarë botën.

Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore, tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe sipas përgjegjësive institucionale të gjithë institucioneve shtetërorë dhe mbarë shoqërisë ndaj fenomenit të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Dhuna ndaj grave edhe ketë viti vazhdon të jetë dukuri alarmuese në Kosovë, ku gjatë vitit 2019 kemi 5 gra të vrara nga personat më të afërm të tyre, humbja e jetëve të tyre është humbje e pa falshme për shoqërinë tonë.

Mbrojtja e jetës dhe dinjitetit të grave dhe vajzave është tregues i sundimit të ligjit. Është obligim i çdo qytetari/eje të Republikës së Kosovës të lajmëroi rastin e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore tek institucionet përgjegjëse, në rastin kur e përjeton apo është dëshmitarë i një situate të tillë. Ne të gjithë kemi obligim ta ruajmë jetën dhe ta parandalojmë dhunën në baza gjinore për të krijuar një ambient të sigurt si parakusht i paqes, ku vajzat dhe gratë ndjehen të lira dhe te mbrojtura.

ABGJ bën thirrje reagim të shpejtë të Institucioneve të Republikës së Kosovës të mandatuara të ofrojnë siguri, mbrojtje sociale, ekonomike, shëndetësore dhe psikologjike për viktimat  e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Bëjmë thirrje për ngritje të nivelit të bashkëpunimit mes institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, dhe senzibilizimit të mediave,  sepse vetëm me përpjekje të përbashkëta mund t’i japim fund dhunës në baza gjinore, për të krijuar një shoqëri të sigurte e cila mbron jetën dhe garanton sigurinë e qytetareve të saj.

ABGJ përkrahë fushatën globale për parandalimin e dhunimit seksual dhe ngacmimit seksual si fenomen negativ mbarë botërorë i cili shkakton humbje jetësh dhe cenon rëndë dinjitetin e vajzave dhe grave në mbarë botën.  Dhuna seksuale është e pa tolerueshme.

Këtë vit, ABGJ e shënon hapjen fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit, me datë 25 Nëntor me organizimin e një tryeze diskutimi ku do të prezantohet “Manualin për Vlerësimin e Ndikimit Gjinor “si dhe “Raporti mbi nivelin e zbatimit të Procedurave Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga dhuna në familje” , si dhe me transmetimin e një vidoklipi televiziv i cili rithekson rolin e stafit shëndetësorë në identifikimin e rasteve të dhunës, ofrimin e përkujdesjes profesionale për ta respektuar jetën e viktimave dhe mbrojtur dinjitetin e tyre.

Ndërsa, nga ora 17:00-24:00, Ndërtesa e Qeverisë- Zyra e Kryeministrit do të ndriçohet me ngjyrën portokalli dhe simbolin e fushatës kordeles së bardhë .