March 10, 2025

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit organizoi sot një ngjarje me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u prezantua Rrjeti i Grave në Pozita Vendimmarrëse në Administratë Publike dhe Institucione të Pavarura.

Takimin e hapi Drejtoresha e ABGJ-së, znj. Edi Gusia, e cila theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave në vendimmarrje dhe përmirësimin e barazisë gjinore në institucionet shtetërore. Ajo vlerësoi progresin e bërë deri më tani dhe theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme ndaj grave në pozita drejtuese.

Në fjalën e tij, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria ka bërë hapa të rëndësishëm për të rritur përfaqësimin e grave në administratë, duke nënvizuar se në vitin e kaluar, 63% e të rekrutuarave në administratën publike ishin gra.

“Pavarësisht pengesave të shumta, gratë po arrijnë të kapërcejnë barrierat dhe po zënë vendin e tyre të merituar në institucione publike. Ne kemi mbështetur punësimin e 12 mijë grave dhe kemi siguruar që proceset e rekrutimit të jenë të drejta dhe transparente,” tha Kurti.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, përgëzoi përparimin e bërë, duke theksuar se përfaqësimi më i madh i grave sjell qeverisje më të drejtë dhe transparente. “Nga 38 pozitat e kryeshefave ekzekutiv, vetëm 7 janë gra, por ne duhet të punojmë për ta përmirësuar këtë situatë. Gratë në udhëheqje janë më pak të korruptuara dhe sjellin cilësi më të mirë në vendimmarrje,” tha ai.

Me nga një fjalë rasti në këtë ngjarje u paraqitën edhe znj. Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme, dhe znj. Leonita Shabani-Mullarama, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Ekonomisë, të cilat ndanë përvojat e tyre dhe theksuan rëndësinë e përfshirjes së grave në nivele të larta drejtuese.

Ngjarja shërbeu si platformë për shkëmbimin e ideve dhe për të forcuar bashkëpunimin mes grave në administratë, duke synuar avancimin e mëtejshëm të barazisë gjinore në Kosovë.