Një delegacion nga Kosova, përfshirë U.D. e ABGJ Edi Gusia, deputetet Fatmire Kollçaku dhe Eliza Hoxha , Drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës Jehona Lushaku Sadriu po merr pjesë në "Forumin për Barazinë Gjinore në Kuadër të Procesit të Berlinit" në Berlin

September 20, 2024

Procesi i Berlinit ëshë një platformë e  gjerë për dialogun dhe bashkëpunimin mes qeverive, organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë, për të adresuar këto sfida dhe për të përmirësuar kushtet e barazisë gjinore në rajon. Kjo është një përpjekje e rëndësishme për të arritur një shoqëri më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor. Tema e përfshirjes së barazisë gjinore në politikëbërje dhe iniciativat ndërkombëtare u theksua me rëndësi. Procesi i Berlinit, i cili ka vepruar për një dekadë, më në fund ka filluar të përfshijë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave në axhendën e tij, megjithëse aktualisht kjo çështje konsiderohet ende si një "ngjarje anësore". Pjesëmarrësit e takimit theksuan se barazia gjinore duhet të vendoset në zemër të çdo politike dhe aktiviteti, përfshirë përpjekjet për pajtim.

Kosova u përmend si një shembull unik në nivel global për reparacionin ndaj të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Ky model, që përqendron mirëqenien e të mbijetuarave, ka funksionuar falë bashkëpunimit të Qeverisë me organizatat e grave dhe përkushtimit politik. Qeveria mbështet jo vetëm Komisionin për verifikimin e statusit të të mbijetuarve, por gjithashtu edhe katër organizata joqeveritare të specializuara në mbështetjen e tyre.

Një iniciativë tjetër e veçantë që u prezantua ishte masa nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), që synon fuqizimin ekonomik të grave që kanë familjarë të zhdukur gjatë luftës, duke njohur humbjet dhe duke mbështetur të gjitha gratë, pavarësisht përkatësisë etnike.