Në Ditën Ndërkombëtare të të Mbijetuarave: Homazhe për Dinjitetin dhe Drejtësinë

June 19, 2025

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Agjencia për Barazi Gjinore, në bashkëorganizim me Kryeministrin në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka organizuar homazhe përkujtimore dhe ndërgjegjësuese në nderim të qëndresës dhe dhimbjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Aktiviteti u zhvillua pranë parkut “Heroinat” në Prishtinë, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi drejtësinë dhe dinjitetin e të mbijetuarave, si dhe për të promovuar kujtesën kolektive për këtë pjesë të dhimbshme të historisë sonë të afërt.

Në kuadër të kësaj dite, Agjencia për Barazi Gjinore – e cila këtë vit shënon 20-vjetorin e themelimit – ka ndërmarrë edhe një aktivitet simbolik dhe sensibilizues me titull “Gjelbërimi i Ambientit”. Në shenjë respekti dhe përkujtimi për të gjitha të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, në hapësirën e parkut “Heroinat” është krijuar një kënd i vogël i gjelbër, ku janë mbjellë bimë dhe lule dekorative, duke e shndërruar atë në një vend simbolik reflektimi dhe nderimi.

Agjencia për Barazi Gjinore mbetet e përkushtuar për të mbështetur dhe promovuar të drejtat e të mbijetuarave, për të punuar në fuqizimin e tyre dhe për t’u angazhuar për drejtësi dhe barazi për të gjitha gratë dhe burrat në Kosovë.