Prezantohet raporti “Ngacmimet seksuale në Kosovë” i realizuar nga RRGGK
Rrjeti i Grupi të Grave të Kosovës sot ka publikuar rezultatet e raportit “ Ngacmimi seksual në Kosovë”.
Ky raport shqyrton ligjet e aplikueshme në fuqi, të lidhura me të drejtat e njeriut, në lidhje me ngacmimet seksuale në Republikën e Kosovës. Sipas nenit 3 të Ligjit për Barazi Gjinore thuhet se çfarëdo forme e sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale, apo fizike me natyrë seksuale, me qëllim apo pasojë prekjen apo shkeljen e dinjitetit të një personi, dhe për të krijuar një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes.Ky fenomen manifestohet në forma dhe mënyra të ndryshme qoftë në rrugë, vende publike, shkolla, institucione private, publike, si në formën e fjalëve banale, ashtu edhe ne atë fizike.
Gjatë prezantimit të raportit nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, Drejtoresha Ekzekutive, Igballe Rogova theksoi se do të vazhdohet me punën për parandalimin e ngacmimeve seksuale, dhe se qëllimi i këtij raporti është që të tregohet se ngacmimi seksual në Kosovë është shumë i shpeshtë.
Ndërkaq, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edona Hajrullahu tha se vet ngacmimi seksual është njëra ndër format e vjetra e ushtrimit të pushtetit në mes të gruas dhe burrit. Sipas saj, pasojat e ngacmimit seksual mund të jenë të shumta, që nga vështirësitë e punës, sidomos për femrat, pastaj problemet në lidhje me integrimin e femrës në shoqëri , pozitën, rolin e saj në vendimmarrje - gjë e cila më pas shkakton pasoja në ndjekjen e një karriere të mirëfilltë , si dhe mund të arrijë deri te shkatërrimi i një familje.
Ndër të tjera ajo shtoi se, si masa parandaluese lidhur me ngacmimin seksual mund të jenë: Fuqizimi dhe implementimi i vazhdueshëm i legjislacionit lidhur me këtë fenomen, roli i familjes, vetëdijesimi i femrës dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucionet relevante, vetëdijesimi i qytetarëve lidhur me këtë fenomen, informimi i tyre përmes mediave, që mund të shërbejnë si element konstruktiv drejt zvogëlimit të këtij ngacmimi, krijimi i programeve sa më pragmatike nga mediat nacionale lidhur me barazinë, pozitën, rolin e femrës sot, dhe avancimi i një barazie të mirëfilltë midis dy gjinive.
Ndërsa, Christian Geosits, nga Agjencia për Bashkëpunim dhe Zhvillim Austriak, u shpreh se në Kosovë duhet që të bëhet zbatimi dhe implementimi i ligjeve, duke përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me ngacmimin seksual.
Hulumtimi ka përfshirë rishikimin e kornizës ligjore, një anketim të realizuar në vitin 2015, në të cilin u përfshinë 1,315 qytetarë të moshës mbi 18 vjeç (51.6% gra/vajza dhe 48.4% burra/djem). Në raport thuhet se 48%e qytetarëve të Kosovës kanë përjetuar ndonjë formë të ngacmimit seksual, ku prej tyre 64.1% kanë qenë gra dhe 32,5% burra.