Letër e Hapur për Ofrusit e Shërbimeve Mediale Audiovizuele: TË NDALOHET GJUHA E URREJTJES
Komisioni i Pavarur i Mediave, Agjencia për Barazi Gjinore - Zyra e Kryeministrit dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore janë duke i përcjellur me shqetësim disa emisione televizive, të cilat vazhdimisht janë duke promovuar gjuhë të urrejtjes.Përmes kësaj letre të hapur, ne ju udhëzojmë që gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore të keni kujdes dhe të ndërmerrni të gjitha veprimet e duhura me qëllim të evitimit të përmbajtjeve që promovojnë gjuhë të urrejtjes, gjuhë vulgare dhe ofenduese, si dhe nxisin ose promovojnë cilëndo nga format e diskriminimit dhe jo tolerancës, me theks të veçantë gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta ku edhe ekziston mundësia e keqpërdorimit të hapësirës mediale nga të ftuarit në emisione.
Përqindja e lartë e grave të cilat jetojnë nën dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, paraqet një problem strukturor i cili ndër të tjerash është çështje mendësie. Dhe kjo mendësi e cila e ka të normalizuar dhunën ndaj grupeve të ndjeshme shoqërore, sidomos grave, nuk duhet lejuar assesi nga asnjë televizion qoftë ai publik apo privat. Andaj, për ne është jashtëzakonisht shqetësues fakti që televizionet, në emër të lirisë së shprehjes, janë duke i kontribuar nxitjes së urrejtjes dhe normalizimit të dhunës përmes debateve televizive, duke dëmtuar kështu përpjekjet tona për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në veçanti dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi. Përmbajtje të tilla përveç që nga aspekti etik janë të papranueshme dhe të dëmshme, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Konventën për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave, Konventën e Stambollit, Kodin Penal, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe akte të tjera ligjore që garantojnë të drejtat e njeriut.Ne e vlerësojmë rolin e mediave si vital për organizimin e jetës publike dhe private dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të ndjeshme shoqërore. Gjithashtu, e njohim potencialin që bartin mediat për transformime shoqërore kur ato bëjnë gazetari përkitazi me obligimet që dalin nga Kodi i Etikës dhe ligjet tjera në fuqi. Prandaj, gjuha e urrejtjes e cila është prezente në këto media, është e patolerueshme dhe dëmton drejtpërsëdrejti kauzat shoqërore, duke e ndikuar opinionin publik.Prezenca e gjuhës së urrejtjes në televizionet vendore është praktikë e cila duhet ndaluar. Bazuar mbi këtë, ne kërkojmë reagim të shpejtë nga të gjitha mediat, përkitazi me obligimet ligjore të cilat mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut si vlerë themelore dhe që vendosin etikë gazetareske.
Në rastin tjetër, KPM, ABGj dhe QKSGj janë të vendosura që t'i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për denoncimin dhe luftimin e praktikave të tilla.
Mbesim në pritje të përgjigjes tuaj, Me respekt,
Komisioni i Pavarur i Mediave
Agjencia për Barazi Gjinore - Zyra e Kryeministrit Qendra Kosovare për Studime Gjinore