Vizitë Studimore në Kroaci: Mësime për Integrimin Gjinor në Procesin e Anëtarësimit në BE
Nga data 9 deri më 11 shtator 2024,një delegacion i përbërë nga Agjencinë për Barazi Gjinore pranë Zyrës së Kryeministrit, Sekretaren e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sekretaren e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtoreshën e Institutit të Kosovës për Administratë Publike, përfaqësues të Zyrës për Bashkëpunim dhe Zhvillim, si dhe ekspertë të Zyrës për Planifikim Strategjik dhe Koordinimin e Procesit të Stabilizim-Asocimit zhvilloi një vizitë studimore në Zagreb, Kroaci,. Vizita u organizua në bashkëpunim me UN Women, mbështetës dhe organizator përmes Projektit të Instrumentit për Barazi Gjinore (GEF), financuar nga Bashkimi Evropian. Kjo vizitë synon shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të suksesshme të institucioneve kroate në nivel qendror dhe lokal, duke vënë theksin në integrimin e perspektivës gjinore gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në këtë udhëtim tre-ditor, delegacioni kosovar është angazhuar në një sërë takimesh me zyrtarë dhe ekspertë Kroatë për të marrë mësime të vlefshme mbi integrimin gjinor. Takimet përfshiju biseda me:
- Drejtuesit e Zyrës Qeveritare për Bashkëpunim me OJQ-të, të cilët ndanë praktikat mbi mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile në avancimin e barazisë gjinore.
- Shefen e Zyrës për Barazi Gjinore të Republikës së Kroacisë, e cila theksoi politikat kroate për të garantuar barazinë gjinore në nivel kombëtar.
- Avokaten e Popullit për Barazi Gjinore, e cila trajtoi rolin e mbrojtjes së të drejtave gjinore në Kroaci dhe sfidat që lidhen me këtë proces.
- Drejtorinë për Çështje Evropiane, Bashkëpunim Ndërkombëtar, Gjyqësor dhe Anti-Korrupsion, pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Administratës Publike, ku u diskutua mbi përfshirjen e çështjeve gjinore në kuadrin e reformave të BE-së.
Gjatë ditës së dytë, vizita u përqendrua në:
- Departamentin për Transferimin e Njohurive pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane, për të kuptuar se si Kroacia ka përcjellë përvojat e saj për përfshirjen gjinore në institucionet e tjera evropiane.
- Drejtorinë për Planifikim Strategjik dhe Koordinimin e Fondeve të BE-së, ku u diskutua rëndësia e barazisë gjinore në shpërndarjen e fondeve të BE-së për zhvillim rajonal.
- Komisionin e Barazisë Gjinore të Qytetit të Zagrebit, që ndau përvojat e suksesshme në nivelin lokal për promovimin e të drejtave të grave.
- Komisionin Evropian për Barazi Gjinore në Kroaci, ku u zhvilluan biseda mbi sfidat dhe mundësitë për përmirësimin e situatës gjinore në nivel evropian.
Kjo vizitë studimore është një hap i rëndësishëm për të avancuar barazinë gjinore në Kosovë, duke nxjerrë mësime nga një vend që ka kaluar nëpër një proces të suksesshëm të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me barazinë gjinore në thelb të reformave të saj.