Prezantohet Raporti përfundimtar i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024
Sot, në Ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, u prezantua Raporti përfundimtar i vlerësimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore (PKBGJ) për periudhën 2020-2024. Takimi, i organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mblodhi zyrtarë të lartë qeveritarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë për të diskutuar rezultatet dhe sfidat e këtij programi.
Takimin e hapi Edi Gusia, Ushtruese e Detyrës së Drejtores Ekzekutive të ABGJ-së, e cila theksoi rëndësinë e këtij raporti për avancimin e barazisë gjinore në Kosovë. Ajo gjithashtu prezantoi të gjeturat kryesore të raportit, i cili përqendrohet në tri fusha kryesore: 1.Fuqizimi Ekonomik dhe Mirëqenia Sociale: qëllimi është krijimi i mundësive të barabarta për të kontribuar dhe përfituar nga zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i mirëqenies sociale,2.Zhvillimi Njerëzor dhe Rolet dhe Marrëdhëniet Gjinore: Avancimi i barazisë gjinore përmes arsimit, gjithëpërfshirjes dhe zhdukjes së pabarazive gjinore dhe stereotipave 3.Të Drejtat e Grave, Qasja në Drejtësi dhe Siguri: Promovimi i të drejtave të grave në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi për arritjen e barazisë gjinore .
Në fjalën e tij, Kryeministri i Kosovës, Z. Albin Kurti, vlerësoi përparimin e bërë dhe theksoi se raporti i sotëm tregon se përmes punës së përbashkët janë përmirësuar dukshëm kushtet për grupet e cenueshme. Ai përmendi uljen e papunësisë si një prej sukseseve të zbatimit të këtij programi, duke nënvizuar se, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), papunësia ka rënë nga 25% në 10.7% nga viti 2021 deri në fund të vitit 2023. Burrat e papunë kanë rënë nga 24.2% në 7.9%, ndërsa gratë nga 29.7% në 17.2%.
Ndër të ftuarit, Ministren e Drejtësisë, Znj. Albulena Haxhiu, zëvendësministrin e MASHT-it, Z. Arsim Ademi,zëvendësministrin e ME Z.Getuar Mjeku diskutuan lidhur me rolin e institucioneve që përfaqësojnë në zbatimin e politikave të barazisë gjinore.
Raporti përfundimtar i PKBGJ-së për periudhën 2020-2024 u mbështet nga Projekti “Gender Equality Facility”, i zbatuar nga UN Women Kosovë dhe financuar nga Bashkimi Evropian. Ai identifikoi përparimet e arritura, sfidat e hasura dhe ofroi rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të politikave të barazisë gjinore në Kosovë.