Përfaqësuesit e Agjencisë për Barazi Gjinore zhvillojnë vizitë pune në Suedi
Përfaqësuesit e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ) kanë përfunduar me sukses viziten tre ditore (18-21 nëntor) pune në Goteborg, Suedi, organizuar nga Agjencia Suedeze për Barazi Gjinore (SGEA). Vizita shërbeu për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe për të ndarë përvojat dhe praktikat më të mira për promovimin e barazisë gjinore.
Programi u hap me fjalët mirëseardhëse dhe përshëndetjet zyrtare nga Annika Karlsson, Kryetare e Departamentit për Mbështetje dhe Koordinim të SGEA-së, dhe Leonora Selmani , përfaqësuese e Agjencisë për Barazi Gjinore të Kosovës.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e ABGJ morën pjesë në diskutime dhe punëtori të udhëhequra nga ekspertë suedezë. Peter Vikström, Drejtor i Departamentit për Analizë dhe Monitorim të Politikave, prezantoi bashkëpunimet kërkimore, ndërsa Ida-Maria Linder dhe Bosse Parbring ndanë përvojat e SGEA-së mbi integrimin gjinor në universitete dhe agjenci qeveritare.
Një moment i veçantë i vizitës ishte takimi me znj. Blerta Hoti, nënkryetare e qytetit të Goteborgut dhe një shqiptare me një karrierë të spikatur. Ajo ndau përvojat e saj në fushën e arsimit parashkollor, kulturës dhe çështjeve të fëmijëve, duke ofruar perspektiva frymëzuese për politikat e barazisë gjinore.
Në kuadër të vizitës u realizuan edhe prezantime nga Sofia Strid dhe Anne-Laure Humbert, të cilat ndanë projekte kërkimore si UniSAFE dhe Paths to Equal, që synojnë përmirësimin e barazisë gjinore në sektorë të ndryshëm.
Kjo vizitë pritet të japë kontribut të çmuar në fuqizimin e kapaciteteve të Agjencisë për Barazi Gjinore të Kosovës, duke përfshirë qasje inovative dhe strategji të reja për zbatimin e politikave gjinore në vend. Bashkëpunimi me Agjencinë Suedeze për Barazi Gjinore është një hap i rëndësishëm drejt avancimit të barazisë gjinore në nivel institucional dhe shoqëror.