Mbahet Konferenca me temë “Konsultime të Nivelit të Lartë rreth Procesit të Integrimit Evropian dhe Barazisë Gjinore "

September 19, 2016

Ministria e Integrimeve Evropiane në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, sot organizuan Konferencën me temë “Konsultime të Nivelit të Lartë rreth Procesit të Integrimit Evropian dhe Barazisë Gjinore "

Qëllimi i organizimit të kësaj konference ishte që të ketë një diskutim të hapur dhe thelbësor me akterët përkatës dhe se si shoqëri mund të avancojmë Barazinë Gjinore në Kosovë, duke punuar së bashku me shoqërinë civile në kuadër të procesit të Integrimit Evropian, në veçanti në procesin e zbatimit të MSA-së. Në hapje të Konferencës Ministri për Integrim Evropian, Bekim Çollaku pasi falënderoj pjesëmarrësit, theksoi se prezenca e femrave në institucione, sidomos në Ministrinë e Integrimeve ka treguar se femrat janë shumë të zonja dhe kompetente për punët që i kryejnë, madje më të përgjegjshme se meshkujt. Sipas tij, si shoqëri duhet te punohet edhe më shumë që të transformojmë shoqërinë dhe ta përafrojmë me strukturat e EU .Çështja e Barazisë Gjinore nuk duhet te trajtohet si kusht për integrim ne EU, por si domosdoshmëri për zhvillim të kësaj shoqërie.

Ndërkaq, në emër të Qeveris së Republikës së Kosovës foli Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa i cili tha se takimi i sotëm është i një rëndësie të veçantë, pasi që kemi rastin të bisedojmë për këto çështje, të cilat unë konsideroj se nuk i përkasin vetëm integrimit tonë evropian dhe vetëm agjendës sonë evropiane, por janë të ndërlidhura ngushtë edhe me agjendën tonë kosovare, sepse dëshirojmë që të themelojmë dhe të ndërtojmë një shtet, i cili ka vlera të demokracisë së brendshme, ka vlera të barazisë gjinore dhe vlera të barazisë nacionale dhe në të cilin vend, të gjithë qytetarët do të ndjeheshin të barabartë pa marrë parasysh dallimeve të tyre gjinore, etnike ose dallimeve sociale. Do të ishte mirë që kjo të zhvillohej në vetë natyrën e saj dhe të mos kemi nevojë shumë të veçojmë sepse megjithatë ne duhet të krijojmë kushte të barabarta të kyçjes së të gjithë qytetarëve tanë në proceset zhvillimore, në proceset e arsimit, proceset e kulturës, në barazinë e punësimit dhe barazinë sociale.Në fund uroj që bashkërisht të arrijmë rezultate me përfaqësime më të madh dhe pjesëmarrjen më të madhe të gruas në të gjitha institucionet, dhe po ashtu në krijimin e kushteve për barazi të plotë gjinore në të gjitha proceset e zhvillimit ekonomik, zhvillimit social, dhe zhvillimit demokratik të vendit ka theksuar, Kryministri Mustafa.

U.d Kryeshefja Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore Edi Gusia, në fund të takimit prezantoi rekomandimet dhe pritjet e ABGJ sa i përket çështjeve që u diskutuan gjatë takimit, të cilat janë si vijon:

 -Krijimi praktikës institucionale të bashkëpunimit mes mekanizmave për integrime evropiane dhe barazi gjinore në nivel vendi, në planifikimin dhe zbatimin e asistencës së BE

 -Rritjen e përfaqësimit të grave dhe vajzave në jetën institucionale përmes ndërmarrjes se veprimeve të përshpejtuara të qëndrueshme apo edhe atyre të përkohshme, siç janë masat afirmative  

 -Zbatimi i buxhetimit të përgjegjshëm gjinor i përcjellë me statistika të ndara në Baza Gjinore
 
-Zbatimi i politikave të kombinuara si ato të parapara në strategjinë kombëtare për zhvillim për ta rritur nivelin e pjesëmarrjes se grave dhe vajzave në tregun e punës

 -Dhe përfundimisht monitorimin e politikave publike me indikatorë gjinor, që lehtëson përcjelljen e progresit dhe adresimin e problemeve dhe hartimin e politikave publike me bazë gjinore që kontribuojnë zhvillimin dhe krijimin e një shoqërie harmonike dhe të barabartë, dhe që sigurojnë pjesëmarrje gjithëpërfshirëse dhe qëndrueshmërinë e proceseve të zhvillimit socio ekonomik, politik dhe paqes në Kosovë dhe rajon.