Agjencia për Barazi Gjinore nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me UP “Hasan Prishtina”
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, dhe Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Znj. Edi Gusia nënshkruan sot marrëveshje mirëkuptimi për rishikimin e kurrikulës mësimore të Fakultetit Ekonomik dhe vendosjen e lëndës së re “Ekonomiksi Gjinor”.
Qëllimi kryesor i këtij memorandumi është bashkëpunimi i dy institucioneve nënshkruese në projekte edukative, që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, në ndërtim të kapaciteteve dhe bashkëpunim në fushën e ndryshim/plotësimit të kurrikulës akademike të Fakultetit Ekonomik në sferën e ekonomisë për barazinë gjinore konform standardeve vendore dhe ndërkombëtare. Procesi i vendosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, përkthimit te tekstit universitarë dhe ofrimit te ekspertizës ndërkombëtare për vendosjen e lëndës financohet nga Ambasada Suedeze – SIDA përmes ndihmës direkte financiare për Agjencinë projektit mbështetës NIRAS –CPM .
Rektori Dema tha që ka kohë që ka qenë i interesuar që UP-ja të këtë një memorandum bashkëpunimi me Agjencinë për Barazi Gjinore, i cili do t’iu shërbente fillimisht studentëve, e pastaj gjithë shoqërisë, ashtu siç synon ky memorandum. Ai u shpreh i lumtur për arritjen e këtij bashkëpunimi dhe entuziast për rezultatin qe futja e kësaj lende ne plaprogramin mësimor do të sjellë te studentët në fushën e barazisë gjinore.
Përveç rektorit Dema dhe znj. Gusia, të pranishëm në nënshkrimin e këtij memorandumi ishin: prorektorja për buxhet dhe financa, prof. dr. Myrvete Badivuku–Pantina, prorektori për mësimdhënie dhe çështje të studentëve, prof. dr. Hysen Bytyqi, prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. dr. Dashamir Berxulli, dekani i Fakultetit Ekonomik, prof. asoc. dr. But Dedaj, profesoresha Ardiana Gashi, znj. Shpresa Zariqi – Agjencia për Barazi Gjinore , dhe znj. Visare Gorani-Gashi –Sida, dhe znj. Blerinda Idrizi udhëheqëse e projektit te financuar nga Sida.
Me anë të nënshkrimit të sotëm të këtij memorandumi, kurrikulës se Fakultetit Ekonomik do t’i shtohet lënda me perspektivë gjinore “Ekonomiksi Gjinor”, e cila njëherësh do të jetë lënda e parë në Ballkan që do të futet në nivel akademik.