Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës kanë organizuar aktivitet të përbashkë
Në vazhdën e aktiviteteve të shënimit të 8 Marsit Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore/ZKM në bashkëpunim me Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës sot me datë 10 Mars 2020 kanë organizuar aktivitet të përbashkët, në finalizimin e lëndës së re “Gjinia dhe Ekonomia” si lëndë e re në kuadër të drejtimit të Ekonomiksit. Me këtë rast ABGJ dorëzoi një fond prej 5 titujsh akademik ( 34 kopje) për bibliotekën e Fakultetit Ekonomik të cilat do të shërbejnë për studentët të cilët do të ndjekin këtë lëndë. Kjo iniciativë është mbështetur nga Qeveria Suedeze-Sida, e zbatuar përmes projektit të asistencës teknike për ABGJ.
Kryeministrit i RKS Albin Kurti, gjatë takimit deklaroi se është alarmuese që 80% e grave janë jashtë tregut të punës. Sipas tij, pa barazi gjinore humbasim të drejtën e njeriut dhe demokracisë. Kurti premtoi ndërtimin e çerdheve e shtëpive të pleqve për të mundësuar barazi gjinore. Mes tjerat ai theksoi se çdo ligj e rregullore do të udhëhiqet nga parimet e barazisë gjinore.
Kurse, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia, theksoi se është me rëndësi ta njohim kontributin e pa paguar të grave si pjesë të kontributit ekonomik i cili siguron mirëqeni dhe zhvillim ekonomik të vendit. Gratë dhe vajzat e Kosovës historikisht kanë kontribuar në proceset e shtet formimit dhe ai kontribut ende nuk vlerësohet aq sa e meriton nga shoqëria, prandaj lënda e re në kuadër të Fakultetit Ekonomik “ Gjinia dhe Ekonomia” do të mundësoi të vlerësohet dhe hapë rrugë njohjes së meritës së kontributit të grave në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Ambasadorja e Ambasadës Suedeze në Kosovë Karin Hernmarck Ahliny, tha se fuqia e gruas mund të ndryshojë çdo gjë edhe pse përballët me vështirësi të shumta për shkak të diskriminimit. Sipas saj, duhet të respektohet barazia gjinore në këtë mënyrë grave do t’u mundësohet përfshirja më e madhe në punësim dhe vendimmarrje. Ajo shtoi se një numër i madh i femrave nuk përfundojnë studimet pasi duhet të kujdesen për familjen, shtëpinë dhe fëmijët.
Dekani i Fakultetit Ekonomik But Dedaj, theksoi se Kosova është vendi i parë në regjion me futjen e lëndës së re “Gjinia dhe Ekonomia”. Gjatë fjalimit ai tha se përkundër përparimeve në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës ekzistojnë dallime për arsye të ndarjes së pabarabartë, diskriminimit në punësim etj. Sipas Dekanit, nga të dhënat e marra nga ASK, në vitin 2018 vetëm 18.4% gratë ishin aktive në tregun e punës.
Ndërkaq, Blerinda Idrizi Udhëheqëse e projektit të asistencës teknike për ABGJ e zbatuar nga Konsorciumi Niras CPM Internacional, gjatë prezantimit theksoi se Kosova ne këto 20 vitet e fundit, ka qenë vendi testimit të ideve dhe krijimit të modeleve nga komuniteti ndërkombëtar, për avancimin e ideve, normave dhe vlerave që promovojnë të drejta e njeriut në tërësi, dhe barazisë gjinore në veçanti. Megjithatë, modelet që do të mbijetojnë dhe do të rrënjosen në kulturën dhe shoqërinë kosovare, janë ato që krijohen, rindërtohen dhe përqafohen nga vetë qytetarët e Kosovës dhe mbrohen e zhvillohen po vetë prej tyre. Si projekt, ne kemi prezantuar ide dhe modele, koncepte dhe instrumente, Universiteti, si vatra e dijës, i ka përqafuar ato dhe ka dhënë kontributin në krijimin e lëndës së “Gjinisë dhe Ekonomisë”. Është e rëndësishme të shohim dhe të vlerësojmë përkushtimin ndaj kauzës se barazisë gjinore, e përderisa ka përkushtim, ndryshimet pozitive dhe avancimi i agjendës së barazisë gjinore te Kosovës, qëndrueshmëria ndihmës së Qeverisë Suedeze, e përpjekjeve tona si eksperte është e siguruar nga entuziazmi, kontributi dhe nga kurajoja intelektuale e stafit akademik, studentëve dhe mbarë institucioneve të Kosoves për të krijuar modele të zhvillimit ekonomik gjithëpërfshirës, modele të barazisë shoqërore dhe transformimit social.
Prezantimi i lëndës “Gjinia dhe Ekonomia” si dhe dorëzimi i librave në Fakultetin Ekonomik buron nga marrëveshja e bashkëpunimit të ABGJ me Universitetin e Prishtinën, ku është bërë rishikimi i kurrikulës mësimore dhe vendosja e lëndës së re” Gjinia dhe Ekonomia”.