October 20, 2021

Agjencinë për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Qendrën  Kosovare për Studime Gjinore  ka mbajtur takimin konsultativ të nivelit të lartë “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) COVID-19” me akterë institucionalë, ekspertë/e dhe përfaqësues/e nga shoqëria civile. Ky takim u mbajte me qëllim të avancimit, të koordinimit ndër-sektorialë në luftimin e dhunës me bazë gjinore ndaj grave në Kosovë, gjatë dhe pas pandemisë Covid-19.

Në këtë takim ka marrë pjesë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe përfaqësues nga institucione dhe organizata të tjera në vend.

Në hapje të ngjarjes, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive në Agjencinë për Barazi Gjinore ka theksuar se si Agjenci kanë marrë veprime të shpejta lidhur me vlerësimin e pasojave të pandemisë me ndikim në zvogëlim të dhunës.“Kemi mbështetur 24 organizata të grave në vlerë prej 630 mijë euro. Janë organizata të cilat zbatojnë iniciativa në fushën e përmirësimit të mundësive të punësimit të grave përmes skemave të mbështetjes së biznesit. Po ashtu kemi mbështetur edhe 270 biznese të vogla të grave. ABGJ mirëpret thellimin dhe bashkëpunimin me organizata e grave”.

Ndërsa, Luljeta Demolli, Drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, ka thënë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është manifestim i pabarazisë gjinore.“Kosova ka krijuar një varg mekanizmash dhe ligjesh për ta trajtuar dhunën ndaj grave. Megjithatë, në shumë raste – mungon zbatimi praktik. Është me rëndësi jetike që luftimi i dhunës të jetë prioritet i institucioneve dhe çdo sfidë të përcillet me orientimet normative të Konventës së Stambollit”, është shprehur Demolli.
“Pabarazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë dy anë të së njëjtës medalje. Ne duhet t’i luftojmë njëkohësisht, në mënyrë të barabartë dhe me të njëjtin përkushtim. Ne kemi nevojë për më shumë gra police, prokurore dhe gjyqtare, sepse e dimë që gratë të cilat shërbejnë në vijën e parë të drejtësisë e forcojnë drejtësinë për gratë. Ne e mbështesim fuqizimin e mirëfilltë ekonomik si një ndër strategjitë më efikase parandaluese”.


Duke folur për dhunën ndaj grave dhe vajzave, Kryeministri Albin Kurti, tha se “ Ne nuk kemi jetë grash e vajzash për të humbur. Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore, dhe prioritizim i rasteve të dhunës në familje, ashtu që të kemi rezultat të suksesshëm”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në takimin konsultativ  me temën “Përgjigjet institucionale ndaj dhunës kundër grave në periudhën (post) Covid-19”.

Mungesa në drejtësi dhe barazi, i nxit normat sfiduese dominante e patriarkale dhe padrejtësia shtesë nga mosveprimi i shtetit në rolin e tij si mbrojtës, e bën më të ashpër e të dukshme këtë. Kjo ngulfatje po na dërgon deri te mohimi i së drejtës për jetë të grave dhe vajzave tona në Kosovë. Përbrendësimi i kësaj situate kërkon jo heshtje, por veprim, jo fshehje të së vërtetës, por ndërhyrje në thelbin dhe rrënjën e gjërave, tha Kryeministri.Kryeministri falënderoi të gjithë që ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje për gratë dhe vajzat, kudo dhe kurdo që ato kanë nevojë për ndihmë.“Jeta e dinjitetshme dhe e drejta për ta gëzuar atë, janë të drejta të garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe asnjëri nuk mund ta mohojë këtë gjë. Çdo tentativë e mohimit të saj, është jo veç se e ndaluar por edhe e dënueshme”, tha ai, duke theksuar se detyra e shoqërisë e veçanërisht Qeverisë është që të garantojnë një ambient të sigurtë e të jetueshëm, pa drojë e pa frikë.

 


Ndërkaq, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se nga janari i vitit 2021 deri në tetor janë rreth dy mijë raste të raportuara të dhunës në familje. “Zhvillimi ekonomik edhe drejtësia janë thelbësore për të adresuar dhe zvogëluar këto raste. Jemi duke punuar si qeveri për hapjen e vendeve të reja të punës. 14 përqind e grave janë të përfshira në tregun e punës dhe këtu bëhet fjalë për përjashtim, jo për mospërfshirje. Sundimi i ligjit është kyç për parandalimin e këtyre rasteve. Kundër dhunës në familje duhet të flasim fuqishëm sepse Kosova po kanoset prej kësaj”, ka pohuar Haxhiu.

Vlora Nushi nga “UN Women” në Kosovë, ka përmendur se mbyllja si pasojë e pandemisë ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje.“Nga vlerësimet kemi vërejtur që deri 26 përqind është rritur dhuna në muajt e parë të pandemisë. 63 përqind e grave deklaronin se dhuna në familje është rritur. Me
Ministrin e Drejtësisë  si “UN Women” jemi duke punuar për krijimin e strategjisë kundër dhunës në familje”.“Jemi munduar që si familje e Kombeve të Bashkuara që të bëjmë vlerësim të situatës në terren “Rapid Assessments”. Në tri faza kuptuam se efektet e COVID-19 janë dukshëm më të mëdha tek burrat sesa tek gratë”.

Më tej ka qenë Jeta Tela nga Ministria e Punëve të Brendshme që ka shpalosur shifra rreth rasteve të dhunës në familje dhe rastet e përdorimit të armëve të zjarrit.
“Nga fillimi i vitit 2020, janë 29 raste të dhunës së familjes me armë - 15 më 2020 dhe 14 më 2021. Sa i përket përdorimit të armës në dhunës në familje, gratë janë më të rrezikuara. Dy u vranë dhe dy u plagosën në këtë periudhë. Në gjashtë raste armët u përdorën edhe si mjet për të kërcënuar gratë. Shumica e këtyre rasteve kanë ndodhur në zona urbane”.

Pastaj Igballe Rogova, Drejtoreshë Ekzekutive në Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë thënë se gratë duhet të jenë pjesë e çdo procesi dhe se në institucionet e drejtësisë duhen njerëz me integritet.“Konventa e Stambollit kërkon që në çdo fazë të hartimit të legjislacionit të konsultohen organizatat e grave por t’u njihet ekspertiza e jo tu thuhet “mbylle gojën”. Organizata e grave duhet të jenë pjesë e çdo procesi. Është momenti që të ketë buxhet adekuat veçanërisht të ndërlidhura me rehabilitimin dhe integrimin e viktimave të dhunës në baza gjinore”, ka theksuar Rogova.

Ndërkaq Miftaraj, ëshë shprehur: “Si IKD brenda vitit monitorojmë gjashtë mijë deri në 10 mijë raste. Shkeljet që ndodhin në këto raste nëpër të gjitha fazat – polici, prokurori, tejkalojnë neglizhencën. Fitohet bindja që në institucione kemi persona që kanë kulturë që  nuk janë në gjendje t’i trajtojnë gratë barabartësisht sikur gjininë tjetër”.