Shkolla Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat: Edukimi dhe Rrjetëzimi për Liderët e Rinj
Për të dytin vit me radhë, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore/Zyrën e Kryeministrit (ZKM), me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), organizoi Shkollën Verore mbi Gjininë, Ekonominë dhe Politikat.
Ky program pesë-ditor, që u mbajt nga data 27 deri më 31 gusht, mblodhi 30-35 studentë dhe liderë të rinj nga mosha 18 deri në 29 vjeç në një mjedis multietnik. Pjesëmarrësit patën mundësinë të zhvillojnë njohuritë e tyre mbi çështjet gjinore, ekonominë dhe politikat, ndërsa njëkohësisht inkurajoheshin të krijonin rrjete me pjesëmarrës të tjerë me pikëpamje të ndryshme politike. Programi përfshiu ligjërata, seminare dhe diskutime të shumta, duke ofruar një platformë për shkëmbim idesh dhe eksperiencash.
Hapjen e shkollës e bëri Valon Kurhasani, Zëvendësdrejtor i Lartë në NDI, së bashku me Edi Gusia, Ushtrues Detyre Drejtor Ekzekutiv në ABGJ/ZKM, dhe Armand Krasniqi, Rektor i Universitetit "Haxhi Zeka" në Pejë. Ndërsa, në diskutimin me studentët morën pjesë Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, si dhe Jeta Statovci, Deputete dhe Zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në Kuvendin e Kosovës.
Për të mbështetur më tej edukimin e studentëve, Agjencia për Barazi Gjinore shpërndau 35 kopje të librit në gjuhën shqipe "Hyrje e Avancuar e Ekonomiksit Feminist" të autores Joyce Jacobsen për pjesëmarrësit e shkollës verore. Ky libër u ofron studentëve një pasqyrë të thelluar të ekonomiksit feminist, duke theksuar rëndësinë e perspektivave gjinore në ekonomi dhe politikëbërje.