Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore kanë mbajt takimin e rregullt konsultativ, të shtatin me radhë, të nivelit të lartë me akterë institucionalë, ekspertë/e dhe përfaqësues/e nga shoqëria civile
Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore kanë mbajt takimin e rregullt konsultativ, të shtatin me radhë, të nivelit të lartë me akterë institucionalë, ekspertë/e dhe përfaqësues/e nga shoqëria civile. Takimi u mbajt në prag të 30-të vjetorit të Platformës së Pekinit, 24 vjetorit të Rezolutës 1325 Gratë Paqja dhe Siguria.
Programi i Kosovës për Barazi Gjinore 2020-2024, i miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës e vendosë çështjen e pjesëmarrjes së grave në jetën politike dhe publike si një nga objektivat kryesore strategjikë. Në përputhje me objektivat që dalin nga ky Program, Agjencia në bashkëpunim me Qendrën synojnë ta sjellin në vëmendje pozitën e grave në jetën politike dhe publike nga një perspektiv ndërthurëse.
Edhe pse Kosova ka një legjislacion kombëtar të avancuar që mbron dhe promovon të drejtat e grave, në praktikë, ato ende përballen me sfida të mëdha në gëzimin dhe ushtrimin e këtyre të drejtave. Një nga pengesat më të mëdha mbetet mentaliteti patriarkal i rrënjosur thellë në shoqëri, i cili vazhdon të pengojë përparimin e barazisë së mirëfilltë gjinore. Shpeshherë, gratë nuk kanë qasje të barabartë në pozita vendimmarrëse, në tregun e punës dhe në jetën publike, pavarësisht se ato përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Kjo situatë reflektohet edhe në jetën politike, ku gratë përballen me paragjykime gjinore dhe seksizëm të cilat i ndalon për t’u përshirë dhe për të marrë mbështetje të barabartë me burrat në politikë. Kjo pabarazi është gjithashtu e dukshme edhe në proceset që kërkojnë përfshirje aktive dhe kontribuese, sikurse ato të paqes nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi konsultativ është zhvillimi i një diskutimi të hapur dhe thelbësor mbi sfidat e avancimit të barazisë gjinore në vend. Është i domosdoshëm analizimi kritik i përpjekjeve të akterëve të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, partive politike, mediave dhe komunitetit ndërkombëtar, në kuadër të proceseve dhe reformave të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.
Hapjen e takimit e bëri Ud. Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia dhe Drejtoresha e Qendres Kosovare për Studime Gjinore Luljeta Demolli.
Ndërsa fjalë rasti mbajt nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Saranda Bogujevci dhe Këshilltari politikë i zyrës së BE Cyprien François.
Pjesë e panelit ishte zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi, këshilltarja në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlije Balaj, Ruzhica Simiq drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Të drejtat e grave” dhe Igo Rogovës nga Rrjeti i Grupit të Grave.