Komunikata e ABGJ-së lidhur me fillimit e Fushates së 16 Ditëve të Aktivizmit Ditës Ndërkombtare për Eliminimit të Dhunës ndaj Gruas

November 25, 2018
Fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit është fushatë botërore që organizohet çdo vit. Fushata fillon me 25 Nëntor, e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Çdo vit përmes fushatës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave. Simboli i fushatës është kordelja e bardhë, ndërsa ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia qe simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave dhe vajzave.
 
Zbatimi i ngadaltë dhe i pabarabartë i kuadrit ligjor, vëmendja e pamjaftueshme kushtuar parandalimit të shfaqjes së dhunës si dhe diskriminimi i vazhdueshëm, pabarazia gjinore, normat diskriminuese dhe stereotipet gjinore, mungesa e burimeve te mjaftueshme financiare për zbatimin e politikave dhe kornizave ligjore, mbeten pengesa kryesore të mëdha për eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
 
Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore, tërheq vëmendjen në domosdoshmërinë e reagimit me kohë dhe sipas përgjegjësive institucionale te gjithë institucioneve shtetërorë dhe mbarë shoqërisë,  veçanërisht në rastet kur dhuna në familje lajmërohet, identifikohet, apo kur bëhemi dëshmitarë të saj. Është i pajustifikueshëm mosveprimi apo dështimi i institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur viktimën(at).
ABGJ rithekson se duhet të ketë bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet Institucioneve të Republikës së Kosovës, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe i gjithë shoqërisë sepse vetëm me përpjekje të përbashkëta mund t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe për të formësuar një ambient të përgjithshëm, ku dhuna ndaj grave është e papranueshme dhe e pa tolerueshme.
 
Dhuna ndaj gruas vazhdon të jetë dukuri shqetësuese në Kosovë, ku çdo vit raportohen rreth njëmijë raste të tilla, por qe ky numër nuk paraqet gjendje reale ne terren.
Humbja e jetës së nënave, bashkëshorteve, vajzave, motrave duhet të jetë një alarm për të gjitha institucionet përgjegjëse në vend! Në rastin e dhunës ndaj gruas mekanizmat shtetërorë duhet të garantojnë mbrojtje sociale, ekonomike, shëndetësore dhe psikologjike për viktimat.
 
Këtë vit, ABGJ e shënon hapjen fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit me ndriçimi e Ndërtesës së Qeverisë - Zyrës së Kryeministrit me simbolin e kordeles së bardhë dhe ngjyrën portokalli, në përkujtim dhe nderim të viktimave të dhunës, ku për here të parë do të shfaqen emrat e të gjitha grave që kanë humbur jetën në dy dekadat e fundit.