Agjencia për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit shënoj 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, përmes Lansimit të Amandamentimit të Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe Prezantimi i draftit final të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore
Agjencia për Barazi Gjinore në bashkëpunim me Kryeministrin e RKS Albin Kurti, kanë shënuar 8Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas përmes lansimit të Amandamentimit të Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, si dhe prezantimit të draftit final të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore.
Takimin e hapi Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, e cila uroi Qeverinë dhe Kryeministrin Kurti për mandatin Qeverisës dhe i falënderoj në emër të Agjencisë për Barazi Gjinore dhe mekanizmave institucional për barazi gjinore, për një mandat të suksesshëm qeverisës dhe njëkohësisht i ofrojë gatishmërinë për të kontribuar në vazhdimësi në zbatimin e agjendës së barazisë gjinore dhe të marr përkushtimin e duhur në të mirë të përmirësimit të jetës së qytetareve, grave dhe burrave në Kosovë.
Ajo gjatë takimit prezantoj procesin e hartimit të PKBGJ, si i vetmi program qeveritar i mandatuar me ligj i cili kërkon vëmendjen e Qeverisë dhe se hartimi i këtij programi ka përfshirë një periudhë dy vjeçare, me pjesëmarrjen e grupeve punuese, rreth 80 anëtarë, përfaqësues të institucioneve, shoqërisë civile, organizatave partnere, vendore dhe ndërkombëtare, një proces model i përpjekjes institucionale për qasje gjithëpërfshirëse në hartimin e një politike qeveritare e cila synon të sigurojë që procesin e arritjes së barazisë gjinore ta vendos në qendër të procesit të transformimit të shoqërisë brenda tërë strukturave të saj, institucioneve, politikave, procedurave, praktikave dhe programeve të qeverisë, shoqërisë civile, sektor privat, si dhe komunitetit te donatorëve.
Kryeshefes Edi Gusia theksoi se procesi i hartimit të PKBGJ filloi ne vitin 2017 në metodologji te hartuar nga projekti mbështetës i asistencës teknike të Sida për ABGJ, i zbatuar përmes Konzorciumit NIRAS CPM, i aprovuar nga komiteti drejtues dhe te prezantuar para anëtareve te grupeve punuese. Në periudhën tetor 2017 - 2018 u realizuan gjithsej 13 punëtori për hartimin e këtij dokumenti, ku morën pjesë 499 pjesëmarrës ( 355 gra ; 75 burra) dhe tërë puna u bazua ne analizë paraprake te situatës, duke përfshirë edhe dokumentet strategjike me prioritete afatgjata të aprovuara me herët strategji sektoriale, të cilat janë në zbatim e sipër, duke siguruar kështu kontinuitet ne iniciativat institucionale.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti tha se gjendja e gruas në shoqërinë Kosovare vazhdon të jetë e rëndë, sipas tij gratë e kanë gradën më të lartë të shkollimit në Kosovë, por më të ultë sa i përket punësimit. Kryeministri Kurti, theksoi se programi duhet të jetë i ndërlidhur dhe në harmoni me programin qeverisës i cili trajton të drejtat dhe barazinë si tema poshtë të të gjitha temave tjera. Të gjithë e dimë që gjendja është e rëndë dhe ne duhet të flasim jo vetëm më 8 mars ose 9 mars, por secilën ditë. Dhe gjendja është aq keq saqë jo vetëm të flasim, por të punojmë çdo ditë për të arritur progres. Pengesat janë të mëdha. Sot gratë janë të nën-përfaqësuara, te nën-punësuara subjekt i dhunës dhe ngacmimi seksual i objektifikimit medial. Pabarazia gjinore nuk është vetëm e padrejtë por është edhe e kushtueshme. Gratë janë pjesë përbërëse e ekonomisë, por nuk janë pjesë e zhvillimi ekonomik pasi janë të përjashtuara nga vendimmarrja dhe tregu i punës. Kjo e dëmton potencialin tonë ekonomik. Pengesat janë të shumta dhe ne i dimë, sepse i kemi thënë disa herë, por ka munguar qeveria e cila i jep një drejtim asaj që duhet.
Kurse, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se është nevojë urgjente të miratohet ligji për mbrojtje nga dhuna në Familje. Ajo kërkoi që gjykatat dhe policia të mos paragjykojnë rastet, por të merren me dhunuesin. Sa i përket Projektligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, unë besoj që shumë shpejt i njëjti duhet të procedohet në Kuvendin e Kosovës dhe duhet të kemi një koordinim me komisionin përkatës për të drejtat e njeriut. Është nevojë urgjente që të miratohet ky ligj dhe të adresojë disa çështje : Besoj që duhet ta kemi një sekretariat brenda Ministrisë së Drejtësisë, që pavarësisht a ndërrohen apo jo qeveritë, duhet të funksionoj në nivel institucional dhe besoj se kjo adresohet tashmë edhe në Projektligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, po ashtu duhet të rregullohen roli dhe detyrat dhe përgjegjësitë e strehimore dhe shteti t’i financojë 100 për qind. Në buxhetin për 2020 janë ndarë rreth 900 mijë euro për strehimoret dhe për herë të parë është bërë një linjë e veçantë për strehimoret.
Vlora Dumoshi Ministre në Ministrinë e Kulturës, Rinis dhe Sportit, gjatë tryezës u zotua se do të punojë që të ngritët niveli i pjesëmarrjes së grave në institucionet e Kosovës. Ajo tha se në dikasterin që ajo udhëheq prej gjithsej 700 punëtorëve vetëm 17 gra kanë pozita udhëheqëse. Ky numër është i paktë për një institucion dhe bashkë me programin e Agjencisë për Barazi Gjinore ne si qeveri dhe ministri do të punojmë ngushtë që roli i femrës të merr më shumë përgjegjësi në institucione.
Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari theksoi se prioritet i saj do të jetë krijimi i politikave më të mira për rritjen e bizneseve në pronësi të grave.Si ministre në këtë mandat do të mundohem që të përkushtohem maksimalisht që gratë dhe vajzat dhe burrat të kenë të drejta dhe mundësi të barabarta që perspektiva gjinore të përfshihet në çdo fazë të procesit dhe planifikimit, miratimit, zbatimit. Fokus kryesor është që të kemi politika më të mira për rritjen e bizneseve në pronësi të grave, në çështje të punësimit, rritjen e besueshmërisë për gra, të kemi politika më të mira në përkrahjen e legjislacioneve dhe politikave për inovacion dhe ndërmarrësi.
Ndërkaq, Ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi tha se do të përcillet Ligji mbi Barazinë Gjinore në komunat e Kosovës. Sa i përket MAPL, ne do të takohemi në nivel të të gjithave komunave dhe kemi një politik të zhvillimit ekonomik, duke filluar nga çerdhet , shkollat dhe me këtë duhet të merremi. Ne do të përcjellim edhe ligjin mbi barazinë gjinore në komuna se si funksionon. Ne nuk mund t’i rregullojmë vetëm dhe na nevojitet bashkëpunim me OJQ dhe përfaqësues të medieve.
Në fund u prezantua ne detaje Drafti final i Programit të Kosovës për Barazi Gjinore nga Kryeshefja Ekzkutive e ABGJ-së Edi Gusia, ndërsa Inicimin e Amandamentimit te Kornizës Ligjore për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, e prezantoi Leonora Selmani Shefe e Divizionit për Legjislacion në ABGJ.