COVID-19 dhe izolimi në shtëpi mund të rrisin rrezikun nga dhuna në familje
Situata globale e pandemisë me COVID-19 është shqetësuese dhe vendet po marrin masa të ndryshme për të adresuar situatën dhe për të siguruar shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre. Gjithashtu, që nga 13 Marsi 2020, Emergjenca Shëndetësore u shpall edhe tek ne, për të adresuar pandeminë e Koronavirusit. Përveç masave të tjera, qytetarët janë këshilluar ose obliguar të qëndrojnë në shtëpi, me qëllim të parandalimit të infektimit ose përhapjes së mëtejshme të sëmundjes. Fatkeqësisht, kjo situatë lehtë mund të rezultojë në një rritje të rasteve të dhunës në familje, veçanërishtë në dhunën ndaj grave. Vendosja e kufizimeve që kërkojnë nga individët të mbajnë "distancim shoqëror" ose "të izolohen" mund të dërgojë në situata kur gratë dhe vajzat mbesin të izoluara në shtëpi me persona të dhunshëm. Një izolim i tillë, frika nga sëmundja dhe problemet e tjera të tilla si humbja e vendeve të punës dhe të ardhurave që rezultojnë në varësi ekonomike, nga abuzuesi mund të përkeqësojnë tutje dhunën në familje. Marceline Naudi, Kryetare e grupit të ekspertëve të Këshillit të Evropës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (GREVIO) ka folur mbi rëndësinë e aplikimit të standardeve Evropiane në këtë fushë (siç dhe përcaktohen në Konventën e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave - Konventa e Stambollit) në kohë pandemie. Përderisa gjithnjë e më shumë vende të botës po lëvizin drejt kufizimeve të detyrueshme për të frenuar përhapjen e COVID 19, mendimet tona shkojnë tek grate dhe fëmijët për të cilët shtëpia është një vend frike, e jo një vend sigurie. Të qëndruarit sigurt nga virusi, ngadalësimi i përhapjes së tij dhe angazhimi, që sistemet tona shëndetësore të mund të përballojnë rrezikun janë me rëndësi thelbësore, por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kufizimet në lëvizje u ofrojnë abuzuesve pushtet dhe kontroll shtesë ", vëren Naudi. Dhuna në familje tek ne është e përhapur, me rreth 1915 raste të raportuara në vitin 2019, ku në shumicën e rasteve viktima të dhunës ishin gratë. Duke marrë parasysh situatën me pandeminë dhe izolimin e imponuar në shtëpi, rreziqet për një dhunë në rritje janë shumë reale. Sipas z. Arsim Shala, nga Njësia për Mbrojtjen e Dhunës në Familje, Policia e Kosovës, një rritje e vogël e rasteve të dhunës në familje është vërejtur tashmë në javën nga 13 Marsi 2020, pas shpalljes të Gjendjes së Emergjencës Shëndetësore. Poashtu, situata në lidhje me COVID-19 mund ta vështirësojë punën e institucioneve në mënyrë të konsiderueshme, pasi ato gjithashtu u janë nënshtruar pjesërishtë kërkesave të distancimit shoqëror ose izolimit. Prandaj, është shumë e rëndësishme që autoritetet dhe shërbimet përkatëse për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje të ofrojnë shërbime adekuate edhe në raste të shpalljes së emergjencës shëndetësore. Në raste të tilla, gatishmëria e shërbimeve mbështetëse dhe institucioneve të tjera duhet të jetë edhe më e shtuar sesa në situata normale, duke pasur parasysh se ekzistojnë rrethana rënduese kur viktimat mund ta kenë edhe më të vështirë të kërkojnë ndihmë. Këshilli i Evropës inkurajon të gjitha autoritetet të angazhohen dukshëm për të siguruar vazhdimësinë në ofrimin e shërbimeve dhe në mbështetjen dhe mbrojtjen e grave dhe vajzave në rrezik dhune, duke përfshirë akterët përkatës si agjencitë e zbatimit të ligjit, shërbimet sociale, sektorin e drejtësisë, shërbimet e specializuara të ndihmës dhe të gjitha ministritë përkatëse. Institucionet relevante si: Policia e Kosovës, Prokuroria, Gjykatat, Mbrojtësit e Viktimave, Qendrat për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Strehimoret dhe Organizatat e Grave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave përbëjnë zinxhirin kryesorë të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat. Të gjitha këto institucione inkurajohen të vazhdojnë punën e tyre përmes mundësive në dispozicion dhe qasjeve inovative kur është e nevojshme. Është shumë me rëndësi që qytetarët, veçanërishtë gratë të dijnë ku të kërkojnë ndihmë dhe ku të raportojnë rastet e dhunës, dhe të kenë besim se edhe në situata emergjente si kjo me COVID-19 autoritetet janë në detyrë dhe duke ofruar ndihmën e nevojshme. Zgjidhje inovative në këtë drejtim tashmë janë duke u aplikuar nga shumë vende në të gjithë Evropën, përderisa ato po veprojnë në adresimin e sfidave që kjo pandemi paraqet për gratë viktima të dhunës. Për shembull, disa janë duke realizuar fushata specifike informacioni mbi shërbimet në dispozicion, ndërsa të tjerët po prezantojnë formularët e aplikimit në internet për urdhërat mbrojtjës. Një numër vendesh kanë përfshirë shërbime për përkrahjen e dhunës në familje në kuadër të "shërbimeve primare". Zgjidhje të ngjashme inkurajohen të merren nga autoritetet dhe organizatat e grave edhe tek ne. Një veprim i menjëhershëm mund të përfshijë transmetimin e videove ndërgjegjësuese mbi dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje në televizionet lokale, për të promovuar tolerancën zero të shoqërisë ndaj dhunës, si dhe të ofrohen informacione praktike se si mund të raportojnë rastet e dhunës. Ne avokojmë që të gjithë qytetarët, veçanërisht gratë dhe vajzat të jenë të sigurta në shtëpitë e tyre dhe që të drejtat e tyre të vazhdojnë të mbrohen. Dhuna në familje mund të raportohet te Policia e Kosovës në numrat 192 ose 0800 19 999. Gjithashtu, personat që kërkojnë ndihmë ose këshillim në lidhje me dhunën në familje mund të telefonojnë Mbrojtësit e Viktimave në linjën telefonike 0800 11 112. Të gjitha këto linja telefonike janë falas dhe në dispozicion 24 orësh. Merita Limani Autorja udhëheq projektin e Këshillit të Evropës në adresimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. [https://www.coe.int/en/web/pristina/reinforcing-the-fight-against-violence-against-women-and-domesticviolence]