Hapet fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit- Fushata Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas
Hapet fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit- Fushata Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas
Nën përkujdesjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, dhe në bashkë organizim me Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Ministrinë e Drejtësisë është bërë hapja e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit.
Fushata Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas 25 nëntor-10 dhjetor është aktiviteti i rëndësishëm ndërgjegjësues që synon forcimin e llogaridhënies dhe transparencës të institucioneve shtetërore dhe aktorëve të tjerë në luftën kundër dhunës ndaj gruas dhe përkujtimin e viktimave të dhunës në baza gjinore.
Në hapje të fushatës Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, theksoi se dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Është çështje e sigurisë publike, shoqërore e kombëtare, e mbrojtjes së jetës si e drejtë njerëzore fundamentale.
Ai u bëri thirrje të gjithë burrave që të jenë model në shtëpi dhe në punë, të ngrisin zërin krah për krah me gratë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore.
Shënimi i 25 Nëntorit, hapja e fushatës së 16 Ditëve të aktivizmit, është thirrje për bashkëpunim më të thelluar mes nesh, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zinxhirin institucional që funksionon me këtë renditje: përgjigje institucionale në parandalim, mbrojtje dhe trajtim të rasteve të dhunës ndaj grave, vënie të drejtësisë së munguar, shërbime të shpejta dhe cilësore për çdo rast të dhunës ndaj grave, llogaridhënie institucionale, për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze, pa dallim moshe a etnie, tha kryeministri Kurti.
Ndërsa, Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia duke ju uruar mirëseardhje të pranishmëve tha se Kosova i bashkëngjitët këtij aktiviteti të organizuar sot në nivel global, me synim të sensibilizimit, ngritjes e së vetëdijes dhe thirrjes për veprim, për të luftuar fenomenin e dhunës ndaj grave si një prej fenomeneve me shkatërruese të shoqërisë.
Zëvendësministrja e Drejtësisë/ Koordinatorja Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje Nita Shala, theksoi se situata me dhunën me bazë gjinore bën të domosdoshme ndërmarrjen e nismave në tre drejtime kryesore: përmes përmirësimit të mekanizmave ligjorë për të garantuar trajtim të barabarë dhe të drejtë të të gjithëvë; rritjes së efikasitetit të mekanizmave institucional për të garantuar një përgjigje të drejtë ndaj viktimave; dhe sensibilizimit të përgjithshëm kundër dhunës. Dhe janë pikërisht këto tre kanale pune në të cilat jemi duke punuar në Ministrinë e Drejtësisë me synim realizimi të prioritetit qeveritar e objektivit strategjik “parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave e dhunës me bazë gjinore.
Gjatë takimit fjalim mbajti edhe Anna Carin Platon- Shefe e Seksionit për Integrime Evropiane, Politikë dhe Informim Zyra e BE- së në Kosovë, Ulrika Richardson- Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Margus Sarapuu -Udhëheqës i projektit për Mbështetjen e Proceseve të Reformës së Integrimit në BE, GIZ, Frank Power- Udhëheqës i Zyrës së Këshillit të Evropës, ndërsa prezantimin e udhëzuesit Buxhetimi Operacional të Strehimorëve në Kosovë dhe Standardet e projektimit e bëri Blerinda Idrizi, konsulente ndërkombëtare.