ABGJ në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me QKSGJ kanë organizuar takimin e rregullt konsultativ, të nivelit të lartë, me temën “Pjesëmarrja e grave në tregun e punës”

October 13, 2022

Agjencinë për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me  Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë organizuar takimin e rregullt konsultativ, të nivelit të lartë, me temën “Pjesëmarrja e grave në tregun e punës”.Në këtë takim kanë marrë pjesë aktorë institucional, ekspertë dhe përfaqësues nga shoqëria civile me qëllim të avancimit dhe mbështetjes së fuqizimit të grave në tregun e punës.

Në këtë takim Kryeshefja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore Edi Gusia, ka thënë se mospjesëmarrja në tregun e punës i lë gratë larg zhvillimit dhe kjo e pengon ekonominë kosovare të ecë në rrugë normale të zhvillimit. “Gratë ende kane një pjesëmarrje dhe përfaqësim te ulet në  tregun e punës dhe në proceset e vendimmarrjes, sepse  normat kulturore dhe stereotipet gjinore reflektohen qe nga orientimit ne karriere deri tek mungesa e praktikave institucionale për krijimin e hapësirës për nxitjen e pjesëmarrjes se grave ne tregun e punës, politikave për balancimin e punës dhe jetës për gratë, krijimin, zbatimin dhe financimin adekuat te politikave për krijimin e një paradigme te re te ekonomisë se përkujdesit, ekonomi kjo qe rendon vetëm mbi shpatullat e grave dhe vajzave dhe promovimin e grave ne karriere. Ngecja në këtë rreth vicioz detyrimesh dhe angazhimi te përhershëm për te balancuar obligimet punë –shtëpi pamundësojnë pjesëmarrjen e plotë te tyre në punësim, jetën publike, realizimin e tyre si individë me dëshira dhe vullnete, qe nuk janë asgjë me shume e asgjë me pak, veçse te drejta te patjetërsueshme njerëzore.

Sipas, saj Rritja e pabarazive gjinore është  përcaktues i varfërisë, dhe mungesa e orientimit dhe angazhimit te grave dhe vajzave te te gjitha moshave ne sektorë specifik  me potencial me te madh  punësimi  i pengon ato ta tejkalojnë hendekun e varfërisë. Gratë vazhdojnë te jene te angazhuara ne sektorët e shërbimeve, me paga më të ulëta dhe informalitet.

Duhet te shohim mundësitë e ndërmarrjes se  iniciativave për bizneset private të cilat angazhojnë gra dhe vajza ne programe te punës praktike qe nga periudha e shkollimit duke i përkrahur dhe ndihmuar te profilizohen,  dhe këto programe te përcillen me programe mentorimi ku gratë mbështesin gratë . Është e domosdoshme te mbështesim gratë te themelojnë shoqata profesionistesh ne mënyrë qe përveç se ato te shkëmbejnë njohuritë me njëra tjetrën,  te lobojme per to qe te sigurojnë tregun, te sigurojnë qëndrueshmëri ne bizneset te cilat i udhëheqin edhe pse ne numër te vogël ,dhe njëkohësisht ti inkurajojmë ato per pjesëmarrje me te larte ne jetën publike per te ndare eksperiencat e tyre si një aset i cili pasuron ekonominë e vendit.”

 

Ndërsa, Luljeta Demolli, Drejtore ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore u shpreh se Kosova në këtë kohë ka shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së grave në punë në gjithë Ballkanin. Ne gjashtë muajt e parë të vitit 2021 numri i grave joaktive është rritur. Shifrat e larta dhe papunësia tek gratë tregojnë që tregu i punës mbetet i pafavorshëm për gratë. Punësimi duhet të ndodhë edhe tek grupet tjera të margjinalizuara.
“Edhe kur një grua dëshiron të punojë me pagë e ka të vështirë për shkak të mungesës së kopshteve. Vetëm 6 përqind e fëmijëve shkojnë në kopsht”.

Demolli ka përmendur disa segmente në të cilat sipas saj kërkohet reflektim, siç janë papunësia tek gratë e reja, përjashtimi që u bëhet nga tregu, pastaj të bëhet fuqizim i politikave ekonomike, ligjore dhe njëra ndër to që përmend ajo, është ndryshimi i mentalitetit patriarkal që sipas saj është i shprehur në shoqëri.

Probleme sa i përket qasjes së grave në tregun e punës ka edhe në Holandë, sipas Robert Farla që është i ngarkuar me punë në Ambasadën e Holandës në Prishtinë. “65 përqind e grave punojnë tek ne, por vetëm 29 përqind kanë punë me orar të plotë, krahasuar me 83 të meshkujve. Jemi kampion të punës së përkohshme në Holandë. Gratë punën më të madhe e bëjnë në shtëpi, të përkujdesit dhe punës profesionale. Qeveria e Holandës bashkëpunon me komunat për të rritur numrin e grave në tregun e punës”, ka deklaruar Farla.Në anën tjetër ai ka përmendur një përvojë personale që lidhje me temën e diskutimit.“Jam diplomati i parë që kam marrë pushim atëror, ngase gruaja punonte. Kur këmbëngula, e bëmë të mundshme. Ishte revolucion që hapi rrugën edhe për kolegët e mi”.

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se duhet pasur mbështetje për gratë, derisa përmend edhe mangësi të tjera. “Oda Ekonomike e Grave nuk është në funksion ose nuk e ka përfaqësimin që do të duhej ta kishte. Ligji për Shoqëritë Tregtare ka pasur debat të gjerë. Kanë qenë deputetet e pakicave serbe dhe joserbe që kanë ndikuar në dallimin për 2-3 vota që ka kaluar ligji. Janë vetëm 12 përqind  e grave në shoqëri aksionare që janë nëpër borde”,

Për Vlora Zhushin nga Oda Ekonomike e Kosovës nëse gratë vazhdojnë të mbesin jashtë tregut të punës atëherë nuk shfrytëzohet gjysma e potencialit ekonomik.

“Gratë të cilat janë aktive ballafaqohen me barriera për ruajtjen e vendit të punës. Gratë kanë më shumë gjasë të jenë të punësuara në punë të paqëndrueshme dhe tregun informal. Gratë mund të fuqizohen përmes ambientit të sigurt të punës. Qëllimi i përbashkët i të gjithëve duhet të jetë jo vetëm rritja e numrit të grave në tregun e punës, por edhe siguria”.

Vlora Nushi nga “UN Women në Kosovë” ka thënë se pandemia e COVID-19 dhe tash lufta në Ukrainë janë duke ndikuar tejmase në zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

“Arritjet që janë bërë me kornizë ligjore kanë bërë që Kosovën e kanë lakmi vendet e rajonit, ne po kthehemi pas. Kemi fuqi punëtore të pashfrytëzuar”.

Duke folur për projektet e organizatës që drejton ajo ka thënë se kanë pasur bashkëpunim me 16 komuna ane mbanë vendit në mënyrë që situata të përmirësohet.

Situatën në komunitete e ka paraqitur me të dhëna Isak Skenderi nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”.

“Gratë nuk kanë përkrahje, nuk mund ta ngrisin zërin e vetë sepse nuk kanë mjete financiare. Thjeshtë tonet sado frymëzuese nuk sjellin para. Sipas treguesve socialë dhe ekonomikë komunitetet etnike të margjinlaziaura, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët vazhdojnë të jetojnë në varfëri ekstreme, nivelin të ulët arsimor dhe shkallë të lartë të papunësisë”, ka thënë Skenderi.

Nora Latifi – Jashari nga institute GAP ka thënë se “Gratë diplomojnë më shumë sesa burrat, sikur nëpër universitete publike dhe në ato private. Sipas studimeve, stereotipet e profesionit e përcaktojnë se në cilët sektorë gratë kërkojnë arsim dhe punësim. Kështu tregu i punës mbetet diskriminues për gratë, ka shumë pengesa për gratë që duan të kontribuojnë në ekonomi.